Zogaj: Rritja e numrit të gjyqtarëve do të kontribuojë në zbatimin e politikës ndëshkimore

Kryetari i Gjykatës Supreme të Kosovës, Enver Peci dhe kryesuesi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës (KGJK), Albert Zogaj, morën pjesë në konferencën e organizuar nga BIRN Kosova dhe Internews Kosova, ku u prezantua raporti vjetor i monitorimit të gjykatave për vitin 2021, i cili ka në fokus analizën e politikës ndëshkimore në rastet e korrupsionit gjatë vitit 2021.

Gjatë këtij takimi, u diskutuan gjetjet nga monitorimi i gjykatave nga monitoruesit e BIRN si dhe u adresuan rekomandimet konkrete të dala nga raporti në fjalë.

Kryesuesi i KGJK-së, Albert Zogaj, tha se tema e politikës ndëshkimore në rastet e korrupsionit, zë një rëndësi të veçantë në punën dhe proceset për reformimin e mëtutjeshëm të sistemit gjyqësor të vendit.

“Me qëllim të rritjes së efikasitetit të gjykatave në trajtimin e lëndëve kundër korrupsionit, KGJK ka miratuar Strategjinë për Zgjidhjen Efikase të Lëndëve të Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar për vitet 2022 -2024 si dhe Planin strategjik për përmirësimin e qasjes në drejtësi 2022-2025 efikasiteti dhe prioritizimi i lëndëve brenda sistemit gjyqësor”, tha mes tjerash kryesuesi Zogaj.

Zogaj tha se ndërhyrjet e KGJK-së me rritjen e numrit të gjyqtarëve të rinj në sistem, rekrutimin e stafit mbështetës si dhe amendamentimin e kuadrit rregullativ dhe atë strategjik, do të kontribuojnë në zbatimin më koherent të politikës ndëshkimore për këto vepra penale.

Raporti titullohet “Imuniteti i Korrupsionit” dhe në të janë analizuar aktgjykimet dënuese të 40 rasteve të korrupsionit të nxjerra gjatë vitit 2021.

Ky raport i monitorimit fokusohet në analizimin e politikës ndëshkimore në rastet e korrupsionit të shqiptuara nga gjykatat e Kosovës gjatë vitit 2021.

Raporti tregon se si gjykatat e Kosovës në rastet e korrupsionit nuk kanë zbatuar politikë ndëshkimore në përputhshmëri me udhëzuesit e nxjerrrë nga Gjykata Supreme e Kosovës.

Raporti nxjerr në pah dënimet e ulëta te rastet e korrupsionit dhe rrethanat të cilat janë marrë parasysh për shqiptimin e dënimeve më të ulëta.

Pos tjerash ky raport trajton numrin e madh të rrethanave lehtësuese që merren për bazë karshi atyre rënduese në rastet penale të cilat ndikojnë në lartësinë e dënimit.

Po ashtu raporti shpërfaq se në aktgjykimet e gjykatave për rastet e korrupsionit nuk kemi arsyetim të rrethanave rënduese dhe atyre lehtësuese.

Të pranishëm në konferencën për publikimin e raportit ishin ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, U.D. Kryeprokurori i Shtetit, Besim Kelmendi, kryesuesi i KGJK-së, Albert Zogaj, kryetari i Gjykatës Supreme, Enver Peci.