Ilustrim - Mbledhja e 294 e KGjK-së

Zogaj: Përkundër deklaratave në publik, puna e KGjK-së vazhdon sipas agjendës

Pas rastit të fundit të dhunimit të vajzës 11-vjeçares, përkundër kritikave idhur me gjendjen aktuale në sistem, kryesuesi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Albert Zogaj, tha se puna e Këshillit mund të ndikohet vetëm në rrethana të jashtëzakonshme, prandaj agjenda e KGjK-së do të vazhdojë pavarësisht temave që mund të jenë të hapura.

Kjo është thënë nga Zogaj në mbledhjen e Këshillit Gjyqësor i Kosovës që po mbahet sot.

Në këtë mbledhje, kryetarët e Gjykatës Supreme, Gjykatës së Apelit si dhe Gjykatës së Prishtinës, raportuan para anëtarëve të Këshillit Gjyqësor lidhur me raportin e punës për periudhën prill – qershor 2022.

Lidhur me raportimin e punës për periudhën prill – qershor, kryetari i Gjykatës Supreme, Enver Peci, tha se në Gjykatën Supreme në vazhdimësi është duke u punuar në udhëzuesin për Politikën Ndëshkimore.

Peci tha se janë në aktivitet të vazhdueshëm në mënyrë që mangësitë në sistem sa i përket politikës ndëshkimore të evidentohen dhe të punohet në eliminimin e tyre.

Kurse Valon Totaj, kryetar i Gjykatës së Apelit, tha se për tremujorin e dytë të vitit, në Gjykatën e Apelit, departamenti më i suksesshëm ka qenë departamenti civil me shkallë të efikasitetit 130.7%.

Sipas kryetarit të Gjykatës së Apelit, gjyqtarët e kësaj gjykate janë mbi normën orientuese.

Totaj përmendi edhe çështjen e lëndëve të trashëguara, për çka u zotua se deri në fund të vitit e kanë synim që t’i përfundojnë të gjitha lëndët e trashëguara nga vitet 2018 dhe 2019.

Në Gjykatën e Apelit, lëndë të trashëguara nga viti 2018 sipas Totaj janë 155 lëndë, të vitit 2019 janë 1 mijë e 59 lëndë, kurse të vitit 2020 janë 2 mijë e 387 lëndë.

Totaj përmendi faktin se prej muajit të kaluar çdo bashkëpunëtor e zyrtar ligjor është i detyruar që të raportojë në baza mujore për punën e tyre.

Ndërsa, kryetarja e Gjykatës së Prishtinës Albina Shabani – Rama, tha se në tremujorin e dytë të këtij viti, pra periudhën prill – qershor 2022 , Gjykata e Prishtinës ka pësuar rënie në efikasitetin e punës.

Sipas kryetares së Gjykatës së Prishtinës, efikasiteti i gjykatës për tremujorin e dytë ka qenë 72%, krahasuar me tremujorin e parë që ka qenë 82%.

Sipas kryetares, në bazë të statistikave ka pasur një ulje të efikasitetit, por në bazë të numrit të lëndëve ajo tha se ka më tepër lëndë të përfunduara, por shtimi i numrit të madh të lëndëve të pranuara për këtë periudhë, sipas kryetares e ka ulur mesataren.

Shabani-Rama si shqetësim e ngriti çështjen e mungesës së gjyqtarëve, sipas saj ka një kohë të gjatë prej që gjykata nuk ka operuar me një numër kaq të vogël të gjyqtarëve, gjë e cila tha se ka shkaktuar ngarkesë të madhe të gjyqtarëve me lëndë.

“Një gjyqtar i departamentit civil është i ngarkuar mesatarisht prej 1 mijë e 400 deri 1 mijë e 600 lëndë, në departamentin penal një gjyqtar është i ngarkuar prej 1mijë e 200 deri 1 mijë e 400 lëndë” – tha Shabani-Rama.

Shabani-Rama përmendi edhe problemin e ajrosjes në Pallatin e Drejtësisë, për çka tha se prej të hënës do të fillojë hapja e dritareve me qëllim të ajrosjes së objektit.

Prej raportimit lidhur me efikasitetin e Gjykatës së Prishtinës, kryesuesi i KGjK-së Albert Zogaj, ngriti shqetësimin që sipas tij, në bazë të raportit evidentohet se ka gjyqtar që për këtë periudhë ka përfunduar 141 lëndë, por që ka edhe gjyqtar të tjerë që për këtë periudhë kanë përfunduar vetëm 55 lëndë.

Zogaj tha se është e çuditshme dhe shumë shqetësuese fakti që gjyqtari që i ka 141 lëndë të përfunduara shumicën prej tyre i ka lëndë me aktgjykime fajësuese, ndërsa gjyqtari tjetër që i ka përfunduar vetëm 55 lëndë, shumicën e lëndëve të përfunduara i ka me dënim me kusht apo dënim me gjobë. Këto diferenca kaq të mëdha brenda një gjykate, sipas Zogajt duhet të diskutohen dhe duhet që të dallohen në vlerësim, gjyqtari me 141 lëndë me gjyqtarin me 51 lëndë.

Pas raportimit të lidhur me punën e Gjykatës Supreme, Gjykatës së Apelit dhe asaj të Prishtinës për periudhën prill-qershor 2022, të gjitha raportet e punës u aprovuan nga anëtarët e Këshillit.

Mbledhja është duke vazhduar me pikat e tjera të rendit të ditës.