Ilustrim - Një mbledhja e KGJK-së

Zogaj: KGJK me kërkesë ndaj Avokatit të Popullit që Ligjin për paga ta dërgojë në Gjykatë Kushtetuese

Në mbledhjen e Këshillit Gjyqësor të Kosovës, kryesuesi Albert Zogaj tha se KGJK do t’i drejtohet Avokatit të Popullit për dërgimin e Ligjit për paga në Gjykatë Kushtetuese.

Zogaj tha se ligji është në kundërshtim me standardet kushtetuese, Ligjin për gjykata, opinionet e komisionit të Venecias, andaj ai tha se KGJK e fton Avokatin e Popullit që t’i ushtrojë funksionet e tij për dërgimin e ligjit në Gjykatë Kushtetuese.

Kryesuesi tha se ligji në fjalë është ndërhyrje në sistemin gjyqësor, dhe e dëmton përformancën e gjyqësorit.

Mbledhja është duke vazhduar me pikat e tjera të rendit.

Më 1 shkurt 2023, Qeveria e Kosovës e ka bërë publik vlerën e koeficientit përmes të cilit do të llogariten pagat e 80 mijë punëtorëve të sektorit publik. Vlera e koeficientit është caktuar të jetë 105 euro për vitin 2023. Miratimi i koeficientit të pagave pritet të ulë pagat në sistemin gjyqësor. Nga 3,450 euro sa aktualisht marrin Kryeprokurori i Shtetit dhe kryetari i Gjykatës Supreme, me Ligjin e ri për paga pritet të jetë 1,785 euro apo 1,665 euro më pak.

Ulje vërehet edhe në pagat e prokurorëve dhe gjyqtarëve në gjykatat themelore.

Pagat e gjyqësorit ishin ulur gjatë muajit nëntor të vitit 2022, përmes një vendimi të Qeverisë së Kosovës me të cilin ishte anuluar vendimi i Qeverisë Haradinaj, i cili kishte rritur pagat e gjyqëtarëve dhe prokurorëve.

Mirëpo më 24 nëntor, Këshilli Gjyqësor i Kosovës mori vendim për pezullimin e punëve në gjykata. Ky vendim erdhi si pasojë e vendimit të Qeverisë së Kosovës për kthim të pagave të gjyqtarëve e prokurorëve sikurse në vitin 2017.

Më pas duke vendosur sipas propozimit të sindikatës së prokurorëve, Gjykata e Prishtinës dhe ajo e apelit e kishin pezulluar vendimin e qeverisë duke i lënë në fuqi pagat e gjyqtarëve dhe prokurorëve sipas vendimit të qeverisë Haradinaj.

Ligji për Pagat në sektorin publik është miratuar në lexim të dytë në Kuvendin e Kosovës, me 22 dhjetor 2022. Ndërsa, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e ka dekretuar më 5 janar.