ZKM: Sot nuk pritet të ketë takim të koalicionit qeverisës

Zyra e Kryeministrit të Kosovës e ka mohuar se kryeministri Avdullah Hoti ka pasur sot takim të caktuar me partnerët e koalicionit qeverisës, ndonëse mediat kanë raportuar se ky takim fillimisht është thirrur për në ora 14:00, e më pas është anuluar.

Këshilltari për media i Hotit, Xhavit Beqiri ka thënë për KALLXO.com se takim do të ketë këto ditë.

“Nuk është shty fare se nuk ka qenë i caktuar. Pritet me pas takim këto ditë, por nuk e besoj sot. Nuk e di nga ka dalë ai njoftim, por ne nuk kemi dërgu asnjë njoftim për media që ka takim”, tha ai.

Takimi i partive që janë në koalicion qeverisës, është paralajmëruar para se Kosova dhe Serbia të takohen në SHBA në kuadër të dialogut më 2 shtator.

Ndërkaq, pak ditë më parë, kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj shpalli kandidaturën e tij për president.