Auditori ngritë dyshime për cilësinë e mishit që konsumojmë

Në raportin e auditimit të performancës të vitit 2019 për sigurinë e ushqimit “Rast studimi: produktet e mishit dhe të grurit”, të realizuar nga Zyra Kombëtare Auditimit thuhet se nëpër komuna funksionon tregu i kafshëve dhe tregu i gjelbër apo ato që ofrojnë ushqim të ndryshëm që nuk janë të licencuara.

Sipas zyrtarëve të AUV, tregjet e kafshëve në vend nuk i plotësojnë kriteret e parapara për tregje por as nuk kontrollohen nga inspektorët e AUV apo ata komunal.

“Në këto tregje bëhet therja e pa kontrolluar e kafshëve dhe mos kontrolli i tyre nga inspektorët veterinar rrit rrezikun e therjes/shitjes së mishit me sëmundje që mund të barten edhe tek njerëzit”, thuhet në raportin e ZKA-së.

Në raport thuhet se AUV-ja përmes Ministrisë së Pushtetit Lokal ka kërkuar që komunat të ndërmarrin veprime adekuate për legalizimin e tregjeve por deri me tani vetëm Komuna e Gjilanit ka filluar projektin për ndërtimin e tregut të kafshëve në pajtim me kriteret e parapara, ndërtimi i të cilit deri në korrik 2019 nuk ka filluar.

Kontrollet e çrregullta të fabrikave për përpunimin e mishit

Gjatë analizës së raporteve të kontrolleve të fabrikave të përpunimit të mishit për rajonin e Mitrovicës për vitet 2018 dhe 2019 del se kontrollet zyrtare të bazuara në planin nacional bëhen vetëm në katër muaj të vitit.

Po ashtu, edhe në regjionin e Gjilanit kontrollet zyrtare janë kryer vetëm në tremujorin e parë dhe të fundit të vitit. Pjesa tjetër e vitit nuk është e mbuluar me kontrolle.

Në këtë auditim janë vizituar Zyret Regjionale të AUV në Mitrovicë dhe Gjilan. Për të vlerësuar punën e tyre si mostra për analizë të detajuar janë marrë fabrikat e përpunimit të mishit.

Kontrollet e mishit në Mitrovicë, Foto: ZKA

Sipas kategorizimit të fabrikave shihet se 38% e bizneseve të përpunimit të mishit janë në kategorinë C dhe të cilat duhet të inspektohen minimum tre herë në vit.

AUV-ja mbulon procesin e inspektimit të para therjeve gjatë therjes dhe pas therjes së kafshëve në thertoret e licencuara.

Në raportin e ZKA-së thuhet se nëse një fabrikë përpunuese e mishit është në kategorinë C duhet të ketë së paku tri kontrolle. Dy kontrolle nga Drejtoria e Inspektoratit dhe një së bashku me Drejtorinë e Shëndetit Publik sipas kërkesës dhe në secilën kontroll duhet të plotësohet lista kontrolluese.

“Mirëpo, në dosje shihet se jo gjithmonë është kjo situatë”, vazhdon raporti i auditimit.

Kontrollet e mishit në Gjilan

Sipas ZKA-së, në raportet e ofruara nga sektori i inspektoratit veterinar del mospërputhje me dosjet e analizuara për secilën fabrikë që është marr mostër në këtë auditim. Më tutje, shtrirja e kontrolleve zyrtare duhet të jetë përgjatë vitit, ndërsa nga 14 dosjet e analizuara në rajonin e Mitrovicës dhe Gjilanit del se frekuenca e kontrolleve në pesë raste ka një diferencë të muajve.

Ndërsa, në rastet tjera kontrollet janë bërë në muajt e përafërt si p.sh janar dhe shkurt.

“Kjo ndodhë për shkak të mosplanifikimit mujor sipas vlerësimit të rrezikut dhe mosmonitorimit të realizimit të kontrolleve dhe shtrirjes së tyre. Si pasojë, kemi periudha kur nuk ka asnjë kontroll apo brenda një muaji deri në gjashtë kontrolle tek një përpunues i mishit”, theksohet në raport.