Ilustrim - Foto: KALLXO.com

ZKA: Policët e suspenduar u kompensuan me 50% të pagës përtej periudhës së lejuar me ligj 

Zyra Kombëtare e Auditimit ka gjetur se zyrtarët policorë të suspenduar nga puna janë kompensuar me 50 për qind të pagës përtej periudhës së lejuar me dispozitat në fuqi.

Sipas raportit të ZKA-së të vitit 2023 për Ministrinë e Punëve të Brendshme, numri i zyrtarëve të suspenduar, të cilët kanë vazhduar të kompensohen përtej periudhës së lejuar me dispozitat në fuqi, deri në fund të vitit 2023 ishte 144.

“Kjo është verifikuar me rastin e suspendimit të përkohshëm të zyrtarit policor, bazuar në vendimin e datës 17.03.2022, i cili ishte kompensuar me pagë me lartësi prej 50 për qind përtej tejkalimit të periudhës së lejuar prej 6 muajve” – thuhet në raportin e ZKA-së.

“Për më tej, janë verifikuar edhe nëntë (9) raste tjera nga lista e pagave krahasuar me listën e të suspenduarve” – theksohet tutje në raport.

ZKA thotë se kjo kishte ndodhur pasi që Policia e Kosovës ende nuk kishte pranuar rekomandimin për ndërprerje të suspendimit të përkohshëm nga Inspektorati Policor i Kosovës.

“Për më shumë, nuk ishin marrë masa për zbatimin e kërkesave ligjore lidhur me raste të tilla” – shtohet tutje.

Ligjërisht, sipas nenit 78, paragrafi 2 të Udhëzimit Administrativ mbi marrëdhënien e punës në  Policinë e Kosovës, suspendimi nga puna mund të zgjasë më së shumti 6 muaj.

Pas kësaj periudhe punëdhënësi është i obliguar që të punësuarin ta kthej në punë ose t’ia shkëpusë kontratën e punës dhe gjatë kësaj periudhe kohore të punësuarit i takon kompensimi në pagë në lartësi prej 50 për qind të pagës’.

ZKA vlerësoi se mosrespektimi i rregulloreve në fuqi për kompensimin e pagesave për suspendim të përkohshëm më gjatë se gjashtë muaj, mund të sjellë kosto shtesë për buxhetin e Policisë së Kosovës, duke ulur disponueshmërinë e fondeve për nevojat tjera buxhetore.

Auditori i rekomandoi ministrit dhe drejtorit të përgjithshëm të PK-së që të sigurojnë “që të zbatohen me saktësi kufizimet kohore dhe kompensimet në pagë sipas rregulloreve në fuqi, duke shmangur shkeljet dhe moskuptimet e mundshme”.

Ministria e Punëve të Brendshme u pajtua me këtë të gjetur të ZKA-së.

Ministria e Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike ka marrë opinion të pamodifikuar. Auditori jep opinion të pamodifikuar kur pasqyrat financiare janë në përputhje të plotë me standardet ndërkombëtare.

Në raportin e vitit 2023, kjo ministri ka marrë shtatë rekomandime, prej tyre tri rekomandime të reja, tri të përsëritura dhe një pjesërisht të përsëritur. Zbatueshmëria e këtyre rekomandimeve do të përfshihet në raportin e vitit 2024, i cili parashihet të publikohet në qershor të vitit 2025.

Ndërsa në raportin e Auditorit për këtë ministri në vitin 2022 ishin gjithsej pesë rekomandime. Deri në fund të procesit të auditimit për vitin 2023, vetëm një rekomandim është zbatuar, një është zbatuar pjesërisht ndërsa tri rekomandime të tjera nuk kanë filluar të zbatohen.

Raportin e plotë të Zyrës Kombëtare të Auditorit për vitin 2023 me të gjitha gjetjet dhe rekomandimet për Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike mund ta gjeni në këtë LINK.