Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

ZKA: Përfituesi i subvencioneve prej 8 mijë eurove në Lipjan ofroi vërtetimin tatimor me afat të skaduar

“Te subvencionimi i klubit sportiv të volejbollit ”Ulpiana” në vlerë 8 mijë euro, përfituesi kishte ofruar vërtetimin tatimor me afat të skaduar”.

Kështu është thënë në raportin e Zyrës Kombëtare të Auditimit për Komunën e Lipjanit për vitin 2023.

ZKA ka thënë se ky klub sporti po ashtu në deklaratën mbi financimin e dyfishtë nuk është specifikuar apo shenjëzuar asnjëri nga opsionet nëse ka përfituar financim për të njëjtin projekt apo jo.

Gjithashtu Auditori gjeti se vërtetimin nga gjykata klubi në fjalë e ka ofruar pas nënshkrimit të kontratës.

Madje, ZKA tha se tre përfitues individual që ishin financuar nga komuna në vlerë total 5 mijë e 300 euro, nuk kishin dorëzuar në komunë raportet narrative dhe financiare për shumën e përfituar.

Sipas Auditorit kjo ka ndodhur për shkak të kontrolleve të brendshme të pamjaftueshme gjatë vlerësimit të kërkesave për subvencionim, si dhe papërgjegjshmëria e zyrtarëve përgjegjës për të mbikëqyrur implementimin dhe raportimin nga OJQ-të përfituese.

ZKA tha se mungesa e kontrolleve adekuate lidhur me procesin e vlerësimit të aplikacioneve mund të ndikojë në subvencionimin e përfituesve të papërgjegjshëm.

Madje, sipas Zyrës së Auditimit mungesa e monitorimit dhe raportimi i mangët nga përfituesit nuk siguron se mjetet financiare janë shpenzuar për qëllimin e përcaktuar.

Auditori i rekomandoi kryetarit që të sigurojë që zyrtarët përgjegjës për vlerësimin e aplikacioneve, monitorim dhe zbatim të projekteve të subvencionuara zbatojnë të gjitha procedurat ligjore me rastin e përzgjedhjes së përfituesve dhe monitorimit dhe raportimit nga përfituesit.

Komuna e Lipjanit është pajtuar me këtë të gjetur të Zyrës Kombëtare të Auditimit.

Komuna e Lipjanit ka marrë opinion të pamodifikuar nga ZKA. Auditori jep opinion të pamodifikuar kur pasqyrat financiare janë në përputhje të plotë me standardet ndërkombëtare.

Në raportin e vitit 2023, kjo komunë ka marrë nëntë rekomandime, prej tyre pesë rekomandime të reja, tri të përsëritura, dhe një pjesërisht e përsëritur. Zbatueshmëria e këtyre rekomandimeve do të përfshihet në raportin e vitit 2024, i cili do të publikohet në qershor të vitit 2025.

Ndërsa në raportin e Auditorit për këtë komunë në vitin 2022 ishin gjithsej 10 rekomandime. Deri në fund të procesit të auditimit për vitin 2023, pesë rekomandime ishin zbatuar, një është zbatuar pjesërisht, një nuk është i aplikueshëm më ndërsa për tri rekomandime tjera nuk ka filluar zbatimi.

Raportin e plotë të Zyrës Kombëtare të Auditorit për vitin 2023 me të gjitha gjetjet dhe rekomandimet për Komunën e Lipjanit mund ta gjeni në këtë LINK.