Foto: Ilustrim
ZKA: Pa projekt ekzekutiv Komuna e Suharekës inicio procedurat e prokurimit për tri projekte kapitale
Pa projekt ekzekutiv, vetëm me paramasë dhe parallogari, Komuna e Suharekës kishte iniciuar procedurat e prokurimit për tri projekte kapitale.
Kështu thuhet në raportin e Zyrës Kombëtare të Auditimit për Komunën e Suharekës për vitin 2023.
Sipas gjetjeve të ZKA-së, udhëzuesi operativ për prokurim publik kërkon që specifikat teknike për kontratën e punës, duhet të përfshijnë një projekt ekzekutiv si pjesë substanciale të vetën.
Por kjo nuk ishte përfillur në tri projekte, si “Ndërtimi i vend kampingjeve turistike në Mushtisht dhe shtigjet e ecjes” në vlerë 52 mijë euro; “Ndërtimi dhe rregullimi i varrezave në qytet” në vlerë 179 mijë euro 452€ dhe “Ndërtimi i infrastrukturës për turizëm në bjeshkën e Vraniqit” në vlerë 28 mijë euro.
Shkaqet e mos hartimit të projektit ekzekutiv sipas raportit të ZKA-së ishin vonesat gjatë ndjekjes së procedurave të prokurimit, si dhe mungesës së kontrolleve me rastin e inicimit të procesit të prokurimit.
“Zhvillimi i procedurave të prokurimit pa projekt ekzekutiv, mund të ndikoj që punimet e ekzekutuara në këto projekt të devijojnë nga kërkesat standarde të ndërtimit dhe të mos arrijnë cilësinë e duhur”- thuhet në raport.
ZKA rekomandon që Kryetari i Komunës së Suharekës duhet të sigurojë hartimin e projekteve ekzekutive infrastrukturore para inicimit të procedurave të prokurimit.
Raporti i auditimit për pasqyrat financiare vjetore të Komunës së Suharekës për vitin 2023 ka rezultuar me 10 rekomandime, prej tyre tri janë rekomandime të reja, pesë rekomandime të përsëritura, si dhe dy pjesërisht të përsëritura.
Komuna e Suharekës ka marrë opinion të pamodifikuar. Auditori jep opinion të pamodifikuar kur pasqyrat financiare janë në përputhje të plotë me standardet ndërkombëtare.