Foto: Shkolla e Muzikës 'Amadeus'

ZKA: Nxënësve ju jepet fjala në mësim vetëm në fund të orës

Zyra Kombëtare e Auditimit ka bërë auditimin e performancës për “Vlerësimin e nxënësve në testet kombëtare dhe ndërkombëtare”, për të vlerësuar nëse institucionet përgjegjëse kanë marrë masa për përmirësimin e mësimdhënies dhe vlerësimin e nxënësve në Kosovë.

Nga ky auditim, ZKA ka gjetur se se ka mangësi në metodologjinë e vlerësimit të nxënëseve dhe moszbatim të kërkesave që dalin nga kurrikula.

Sipas ZKA-së, Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, drejtoritë komunale të arsimit dhe shkollat nuk kanë arritur të përmirësojnë metodat e mësimdhënies dhe vlerësimit në përputhje me kërkesat e kurrikulës dhe praktikat më të mira të nxjerra nga Agjencia Evropiane për Sigurimin e Cilësisë.

“Rrjedhimisht, nxënësit vazhdojnë të marrin pjesë në orët e mësimit duke dëgjuar mësimdhënësit që ligjërojnë gjatë gjithë orëve të mësimit dhe aktivizohen vetëm në fund nëse kanë ndonjë pyetje dhe vlerësohen përmes pyetjeve me përgjigje të shumëfishta”, thotë raporti.

ZKA po ashtu ka theksuar se procesi i vlerësimit në arsimin parauniversitar ka mangësi dhe Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Drejtoritë Komunale të Arsimit dhe shkollat nuk kanë ndërmarrë masa për të kuptuar dhe marrë veprime për evidentimin dhe përmirësimin e tyre.

Auditori ka njoftuar se Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit dhe Komunat Novobërdë, Istog dhe Prizren ishin subjekt i këtij auditimi.

Raportin e plotë mund ta gjeni KËTU.