ZKA - Nuk janë përfillur rekomandimet që mos të hyjnë në obligime institucionet pa qenë gati

Përfaqësuesi i Zyrës Kombëtare të Auditimit, Qerkin Morina ka thënë se përkundër rekomandimeve të Auditorit që institucionet e Kosovës të mos hyjnë në obligime pa qenë gati për ekzekutim të projekteve nuk është përfillur.

Morina ka thënë se në raportin e fundit të ZKA-së, shuma e kredive të ratifikuara, të cilat nuk janë tërhequr apo shfrytëzuar nga institucionet ka qenë 390 milionë euro. Ai ka thënë se kjo shumë këtë vit është rritur për 100 milionë euro, duke arritur në 490 milionë euro.

Këtë ai e tha në tryezën e organizuar nga BIRN Kosova në partneritet me 10 organizata jo-qeveritare të Ballkanit në të cilën u diskutua për borxhin publik dhe kapacitetin e institucioneve për t’i menaxhuar kreditë.

“Vitin e kaluar kanë qenë 390 milionë euro kredi të ratifikuara që nuk janë tërheqë, sepse organizatat buxhetore nuk kanë qenë gati. Përkundër rekomandimeve tona që të ndërpritet praktika që me hy në obligime para se me qenë gati, po shihet që kjo shumë është rritur për 100 milionë, dhe kjo ka shkuar në 490 milionë euro. Nuk ka përmirësim, qeveria hyn në borxh pa qenë gati për ekzekutim të projekteve”, ka përfunduar Morina.

Sipas të dhënave të fundit borxhi publik i Kosovës ka arritur në 1 miliardë 208 milionë euro. Norma e interesit është 2.14 për qind, koha mesatare për kthimin e borxhit është 5.2 vjet. 11% e borxhit është valutë jo euro.