Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA), Foto: KALLXO.com
ZKA: Nga 143 raste që kemi dërguar në Prokurorinë e Shtetit, vetëm në tre raste janë ngritur aktakuza
Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca, ka thënë se Zyra Kombëtare e Auditimit që nga viti 2018 ka dërguar 143 raste të dyshimit për vepra penale në Prokurorinë e Shtetit.
Prej tyre, sipas Spancës, vetëm në tre raste janë ngritur aktakuza.
“Në përputhje me marrëveshjen e bashkëpunimit të cilën e kemi me Prokurorin e Shtetit, që në momentin që e dërgojmë, Prokurori i Shtetit të kthejë informacion jo vetëm për ato raste por edhe për rastet e kaluara dhe në bazë të informacionit të fundit që kemi marrë nga Prokurori i Shtetit, për 143 raste që kemi dërguar prej vitit 2018 e tutje janë vetëm tri aktakuza” – ka thënë Spanca.
Sipas saj, në rastet e dërguara mund të ketë tolerancë të gabimeve, por Spanca ka thënë se ‘nuk mund të ketë gabime deri në nivel që të ngriten vetëm 3 aktakuza’.
“Ne kemi shqyrtuar edhe nga brenda se mos ne po dërgojmë raste të cilat nuk kanë elemente potenciale, megjithatë duhet të tregoj se Departamenti për Çështje Juridike dhe Kundër Mashtrimit është mbështetur në vazhdimësi dhe është themeluar në bashkëpunim me ndihmën amerikane me USAID-in dhe në përcaktimin apo analizimin e këtyre rasteve USAID-i ka siguruar një ekspert ligjor që në bashkëpunim me zyrtarin ligjor, ne kemi identifikuar dhe kemi dërguar këto raste” – ka thënë ajo.
Sot (30.08.2024) Zyra Kombëtare e Auditimit ka prezantuar rezultatet e Raportit Vjetor të Auditimit për vitin 2023, në të cilin janë kryer 86 auditime financiare dhe të pajtueshmërisë për organizatat buxhetore; 12 auditime të ndërmarrjeve publike; 14 auditime të performancës; 9 auditime të projekteve të Bankës Botërore; si dhe 5 auditime të pajtueshmërisë.
Nga këto raporte, sipas ZKA-së, janë identifikuar 817 gjetje për të cilat janë dhënë po aq rekomandime.
Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca, gjatë konferencës për media tha se institucionet e pavarura kanë zbatuar 60% të rekomandimeve; ndërmarrjet publike kanë zbatuar 58%; institucionet e nivelit qendror 49%; ndërsa institucionet e nivelit lokal kanë zbatuar vetëm 39% të rekomandimeve.
“Ngecjet në zbatimin e plotë të rekomandimeve ndikojnë në përsëritjen e dobësive dhe mangësive të kontrollit dhe përsëritjen sistematike të tyre nga viti në vit” – ka thënë ndër të tjera Spanca.
Sipas analizës së ZKA-së, të hyrat në buxhetin e shtetit për vitin 2023 ishin në vlerë prej mbi 2.8 miliardë euro, me një rritje prej 237 milionë euro krahasuar me vitin 2022.
Vlera e borxhit publik ka qenë 1 miliard e 663 milionë euro, sipas ZKA-së, apo rreth 17.5% e Bruto Produktit Vendor, që në raport me vitin paraprak, borxhi publik ka shënuar rënie prej 90 milionë euro apo rreth 5%.