ZKA: Në Komunën e Pejës u gjetën të paktën pesë projekte që ka vonesa në realizim
Ndonëse me kontratën publike të nënshkruar mes komunës dhe kontraktuesit, përcaktohen kushtet e veçanta kontraktuale si dhe afati kohor për realizimin e projektit, Zyra Kombëtare e Auditimit [ZKA] në Komunën e Pejës ka gjetur raste në të cilat pati vonesa në realizimin e projekteve.
ZKA tregon se menaxherët e kontratave duhet të monitorojnë dhe të sigurojnë se kontratat po realizohen si duhet dhe në afatin e përcaktuar.
“Në pesë (5) raste, kemi evidentuar vonesa në realizimin e projekteve ”- thuhet në gjetjen e raportit.
ZKA rendit projektet në Komunën e Pejës të cilat nuk u kryen me kohë:
Kontrata “Ndërtimi i ujësjellësit për fshatrat e baranit” në vlerë 1,377,859€, e nënshkruar më datë 14.06.2023, nuk është kryer sipas planit dinamik prej 150 ditë;
Kontrata “Ndërtimi i sallës sportive në shkollën 2 korriku në Logje’’ në vlerë 175,617€, e nënshkruar më datë 23.05.2023, nuk është kryer sipas planit dinamik prej 120 ditë;
Kontrata ‘’Asfaltimi i rrugëve për komunitetet në Vitomericë’’ në vlerë 384,794€, e nënshkruar më datë 22.06.2023, nuk është kryer sipas planit dinamik prej 90 ditë;
Kontrata ’’Sanimi dhe rregullimi i infrastrukturës në rrugën Azem Bejta’’ në vlerë 268,000€, e nënshkruar më datë 27.07.2023, nuk është kryer sipas planit dinamik prej 60 ditë; dhe
Kontrata ’’Asfaltimi i rrugës stacioni i autobusëve’’ në vlerë 78,480€, e nënshkruar më datë 27.06.2023, nuk është kryer sipas planit dinamik prej 60 ditë.
Në raport thuhet se gjatë kohës së auditimit (mars 2024) asnjëra nga këto projekte nuk ishin të përfunduar. Po ashtu bazuar në të dhënat e komunës rreth 25 projektet të cilat përfshijnë periudhën 2020 deri 2022 nuk ishin finalizuar ende.
Mungesa e mjeteve në dispozicion për të përfunduar kontratën si pasoj e planifikimit jo të duhur të projektit, si dhe të disa problemeve në shpronësimin e pronave, thuhet se ishte shkaku i vonesave.
Sipas ZKA, vonesat në kryerjen e projekteve ndikojnë në rritjen e obligimeve kontraktuese të cilat mund të kenë implikime buxhetore për buxhetin e vitit pasues. Kjo, po ashtu, ndikon në performancën dhe mos arritjen e objektivave të përcaktuara të Komunës.
Kreut të komunës ju rekomandua të vendos kontrolle e mbikëqyrje rigoroze dhe të aplikoj masa për vonesat e paarsyetuara
“Kryetari duhet të sigurojë vendosjen e kontrolleve në këtë fushë me një mbikëqyrje rigoroze në menaxhimin e kontratave. Realizimi i kontratave të bëhet në përputhje me planin dinamik/afatin për kryerjen e punëve/furnizimeve dhe për vonesat e pa arsyetuara, të aplikohen masat/ndëshkimet e parapara në kontratë”- rekomandon raporti.
Nga Komuna e Pejës janë pajtuar me gjetjen e raportit.
Për më tepër, nëpërmjet letrës së konfirmimit, të datës 14.06.2024 nga Kryetari i Komunës së Pejës, Gazmend Muhaxheri drejtuar ZKA-së, konfirmohet se e ka pranuar raportin dhe është pajtuar me gjetjet e raportit pa ndonjë koment për përmbajtjen e raportit të auditimit “Raporti i auditimit për pasqyrat financiare vjetore të Komunës së Pejës për vitin 2023”.