Mjek - Foto: REL/Wikipedia Commons
ZKA: Ministria e Shëndetësisë s'ka siguri se specializantët që i paguan do të rrinë në sektorin publik
Përpjekjet e Ministrisë së Shëndetësisë për të përgatitur mjekë të rinj përmes specializimeve nuk kanë qenë efektive për të përmbushur numrin e nevojshëm të mjekëve në Shërbimin Spitalor Klinik e Universitar të Kosovës (ShSKUK), sipas Zyrës Kombëtare të Auditimit (ZKA).
Raporti i auditimit për listat e pritjes së pacientëve në institucionet shëndetësore publike flet për edhe për mungesën e specialistëve, sidomos të anesteziologëve, si një ndër arsyet që ndikon në krijimin e listave të gjata të pritjeve për pacientët që kërkojnë shërbime në ShSKUK.
“Përpjekjet për përgatitjen e mjekëve të ri, përmes specializimeve, deri më tani nuk ishin efektive (nuk kishin dhënë rezultat) për shkak se specializantët ende nuk e kishin përfunduar periudhën e edukimit/trajnimit dhe nuk ishin kualifikuar ende për të aplikuar për pozitat të lira të shpallura nga ShSKUK/QKUK-ja. Pra, konkursi i fundit për specializime i vitit 2020 nuk ka ofruar zgjidhje për zëvendësimin e specialistëve që janë larguar” – thuhet në raport.
Auditori e cilëson të rrezikshëm edhe faktin që Ministria nuk ka siguri se specializantët që ajo i paguan gjatë shkollimit specialistik do të vazhdojnë karrierën e tyre në institucionet publike shëndetësore, sepse kontrata e lidhur nuk i obligon ata për një gjë të tillë as për një periudhë minimale, për sa kohë që tregu privat është më joshës për ta.
“Për pasojë investimi i Ministrisë për të ruajtur stafin mjekësor rrezikon të dështojë për shkak se mjekët mund të zgjedhin që të punojnë jashtë IShP-ve meqë incentivat në tregun privat janë më joshëse se sa në institucionet shëndetësore publike” – thuhet në raportin e auditimit për listat e pritjes së pacientëve në institucionet shëndetësore publike.
Madje, praktika e ShSKUK-së është që specializantët t’i nënshtrohen konkursit për punësim, për t’u punësuar si specialist. Kjo bëhet për t’i dhënë mundësi të barabartë të gjithë specialistëve që janë në treg të punës.
Në mbledhjen e sotme të Bordit të ShSKUK-së, drejtori i institucionit, Elvir Azizi tha se edhe pse kanë mungesë të anesteziologëve, mund të bëhet punë më e madhe edhe me këtë numër të anesteziologëve.
“Me një riorganizim pak më të mirë, mundemi me e përmirësu. Jemi duke punu në atë aspekt. Problemi i anesteziologëve deri vitin e ardhshëm ka me na mbet, kur të specializojnë një numër i kënaqshëm i specializantëve” – tha Azizi.
Sipas këtij auditimi, Ministria nuk ka siguruar mbështetje të mjaftueshme as për edukimin dhe trajnimin e vazhdueshëm të stafit shëndetësor, për t’u siguruar që ata janë të përditësuar me përparimet dhe praktikat e fundit mjekësore.
“Mjekët ndjekin trajnimet profesionale me iniciativë të vet dhe vet i gjejnë mënyrat e financimit të trajnimeve. Oda e Mjekëve është institucioni jo-qeveritar që financon pjesërisht trajnimet e mjekëve sidomos trajnimet në fushat të cilat ka nevojë sistemi shëndetësor i Kosovës” – thotë raporti.
Gjatë periudhës 2019-2023, nga Klinika e Anesteziologjisë janë larguar 29 anesteziologë. Nga 64 sa ishin, aktualisht janë 49. Më tej shpjegohet se gjatë kësaj periudhe janë hapur dy konkurse, përmes të cilëve janë pranuar 23 anesteziologë. Pra, nuk është zëvendësuar plotësisht numri i mjekëve të larguar.
Ish-drejtori i Ortopedisë, pati thënë në njërën prej mbledhjeve të Bordit të ShSKUK-së se anesteziologët kryejnë nga 9 deri në 10 operacione brenda ditës në sektorin privat, e nga 1 deri në 2 në atë publik.
Drejtori i Anesteziologjisë, Gazmend Spahija i pyetur për këtë çështje nga KALLXO.com, ishte përgjigjur duke thënë se anesteziologët punojnë aq sa e kanë orarin dhe sa shfrytëzohen nga kirurgët.
Për të plotësuar nevojat e tyre, Spahija i kishte thënë Bordit më 23.03.2024 se u duhen dyfish më shumë anesteziologë.
Kjo gjendje, sipas tij ka ndikuar në lodhje të tepërt të anesteziologëve të punësuar që në anglisht njihet si “burnout”.