ZKA: Ministria e Shëndetësisë nuk bëri regjistrim të plotë të pasurive në sistemin e-pasuria
Zyra Kombëtare e Auditimit në raportin për vitin 2023 për Ministrinë e Shëndetësisë ka gjetur se kjo ministri ka bërë regjistrim jo të plotë të pasurive në sistemin e-pasuria.
ZKA raporti se furnizimet që nuk ishin evidentuar në sistemin e-pasuria ishin gjithsej tri të tilla.
Sipas Auditori furnizim me inventar për Njësinë e Shërbimeve të Burgjeve në vlerë 13 mijë e 409 euro, furnizim me pajisje të teknologjisë informative në vlerë të 9 mijë 991 euro dhe furnizim me pajisje shtëpiake për Njësinë e Shërbimeve të Burgjeve në vlerë 7 mijë e 439 euro nuk ishin regjistruar në e-pasuria.
Tutje ZKA tha se mangësitë në regjistrimin e pasurive në sistemin e-pasuria ka ndodhur për shkak të mos funksionimit adekuat të kontrolleve të brendshme dhe mos komunikimit të duhur në mes të njësive vartëse në kuadër të MSH-së.
Sipas Auditorit mungesa e regjistrave të saktë dhe të plotë të pasurive dhe raportimi jo i duhur i tyre pamundëson një menaxhim dhe kontroll efektiv mbi pasuritë nën 1 mijë euro.
ZKA theksoi se si rrjedhojë e këtyre mangësive kemi nënvlerësim të pasurive duke rezultuar në prezantim jo të drejtë të tyre në pasqyrat financiare.
Auditori rekomandoi ministrin që të sigurojë se të gjitha njësitë brenda MSH-së bashkëpunojnë efektivisht me zyrtarin e pasurisë në mënyrë që të ketë një regjistër të plotë dhe të saktë të pasurive.
Po ashtu, ZKA në raport theksoi se duhet shtuar kujdesi gjatë procesit të regjistrimit të pasurive dhe gabimet e evidentuara në regjistrin e pasurive duhet të korrigjohen në mënyrë që vlera e pasurive të jetë reale.
Ministria e Shëndetësisë u pajtua me këtë të gjetur të Zyrës Kombëtare të Auditimit.
Zyra Kombëtare e Auditimit ka dhënë opinion të kualifikuar për Ministrinë e Shëndetësisë në raportin vjetor për pasqyrat finaciare për vitin 2023. Auditorët mund të japin tre lloje opinionesh të modifikuara: opinion të kualifikuar, opinion të kundërt dhe mohim të opinionit. Auditori jep opinion të kualifikuar kur Pasqyrat Financiare nuk janë në përputhje të plotë me standardet.
Raporti i Auditorit për MSh-në për vitin 2023 ka rezultuar me gjashtë rekomandime, prej tyre katër janë rekomandime të reja dhe dy të përsëritura. Zbatueshmëria e këtyre rekomandimeve do të përfshihet në raportin e vitit 2024, i cili do të publikohet në qershor të vitit 2025.
Ndërsa në raportin e Auditorit për këtë ministri në vitin 2022 ishin gjithsej 7 rekomandime. Deri në fund të procesit të auditimit për vitin 2023, pesë rekomandime ishin zbatuar ndërsa për dy rekomandime tjera nuk kanë filluar zbatimi.