
Foto: Denis Sllovinja
Auditori: MD bëri mbivlerësim të regjistrave të pasurisë në pasqyrat vjetore financiare
Zyra Kombëtare e Auditimit në raportin për vitin 2022 ka gjetur se Ministria e Drejtësisë ka pasur mbivlerësim të regjistrave të pasurive vjetore financiare (PFV).
Sipas Auditorit, neni 6 i rregullores 01/2017 për Raportim Vjetor Financiar nga Organizatat Buxhetore – Organizatat Buxhetore mbajnë regjistra kontabël të saktë, të plotë, të azhurnuar dhe në harmoni me legjislacionin në fuqi, për të gjitha informatat financiare dhe informatat tjera jofinanciare.
Mirëpo në rastin e Ministrisë së Drejtësisë, nga rishikimi i pasqyrave financiare të ministrisë si dhe krahasimi me shënimet e Sistemit Informativ për Menaxhimin e Financave të Kosovës (SIMFK) kanë identifikuar se vlera e pasurisë mbi 1,000€ e prezantuar tek neni 19.3.1 është e mbivlerësuar për 342,808€.
Sipas Auditorit, çështjet që kanë ndikuar në këtë gjendje janë si në vijim:
– Pagesa në vlerë 447,892€ për ndërtimin e objektit për dëshmitarët e mbrojtur ishte regjistruar dy herë në regjistrat e pasurisë së SHKK në vitin 2009. Rrjedhimisht, regjistrat ishin mbivlerësuar për 294,863€ sa ishte vlera neto e kësaj pasurie në fund të vitit 2022.
– Përmes ankandit publik, Shërbimi Korrektues i Kosovës (SHKK) gjatë vitit kishte shitur pasuri në vlerë prej 37,567€. Për këto pasuri të shitura si dhe për dy pasuri të cilat ishin regjistruar dyfish në vlerë 10,378€, SHKK ka përcjellë shkresë zyrtare në Thesar/MFPT për largimin e tyre nga regjistrat e pasurisë.
Mirëpo, SHKK paraprakisht nuk kishte përcjellë tek MFPT kërkesën për aprovim të shitjes përmes ankandit (neni 9 pika 2 të rreg. 01-2013 shpenzimi i parasë publike) dhe për këtë arsye ishte refuzuar shkresa/kërkesa për largimin e këtyre pasurive nga regjistrat.
“Regjistrimi i dyfishtë i pasurisë kishte ndodhur për shkak se në atë kohë pasuria regjistrohej përmes pagesave/transaksioneve dhe nuk ishte vërejtur nga zyrtarët përgjegjës të pasurisë. Ndërsa, mos largimi i pasurisë nga regjistri kishte ndodhur për shkak se SHKK në mungesë të njohurive nuk kishte respektuar procedurat për shitje të pasurisë, pasi që nuk është njoftuar komisioni i MFPT si dhe nuk kishte vendim nga ana e tyre”- thuhet në raportin e auditorit.
Sipas Auditorit, regjistrimi i dyfishtë i pasurisë si dhe mos largimi i pasurisë së shitur nga regjistrat përkatës ndikon në prezantim jo të drejtë të pasurisë në PFV duke mbivlerësuar vlerën e tyre.
Auditori po ashtu ka dhënë një rekomandim për Ministrinë e Drejtësisë për gjetjen në fjalë.
“Ministrja duhet të forcojë mekanizmat e kontrollit të brendshëm sa i përket regjistrave të pasurive si dhe në bashkëpunim me Thesarin/MFPT të sigurojë se vlera pasurive e paraqitur në PFV e vitit 2023 të jetë e saktë dhe e plotë. Po ashtu, Ministrja duhet të sigurojë që të gjitha proceset rreth tjetërsimit/shitjes së pasurive kapitale realizohen në pajtim me kërkesat ligjore”- thuhet në rekomandim.
Me këtë gjetje të Auditorit është pajtuar Ministria e Drejtësisë.