ZKA: Mbi 800 mijë euro vlera e dëmit nga menaxhimi i pronave shoqërore nga AKP-ja

Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA), ka gjetur se vlera e dëmit nga menaxhimi i pronave nga ana e Agjencisë Kosovare të Privatizimit (AKP), e arrin shifrën e mbi 800 mijë eurove.

Në një konfernecë për media të mbajtur sot, ZKA-ja ka prezantuar dy Raporte të Auditimit.

Njëri raport është ‘Auditimit i të hyrave nga AKP për periudhën 2012 – 2021’ dhe raporti tjetër është ‘Auditimi i funksionimit të sistemit të grantit të performancës komunale dhe menaxhimi i projekteve të financuara nga donatorët për vitin 2021’.

Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca, para gazetarëve ka thënë se rezultatet tregojnë se institucionet përgjegjëse që menaxhojnë pronat shoqërore dhe projektet e financuara nga donatorët, jo në të gjitha rastet kanë treguar performancë të mirë.

“Kemi gjetur se AKP ka dështuar të ruajë dhe të rrisë vlerën e pronave dhe aseteve të dhëna me qera. ZKA ka gjetur se 41% e mostrave kanë rezultu me parregullësi dhe vlera potenciale e humbjes nga këto raste të testuara është mbi 800 mijë euro” – ka thënë Spanca.

Sipas saj, në disa raste AKP-ja kishte lidhur kontratë me uzurpuesit apo shfrytëzuesit e paligjshëm.

“Gjetjet kanë vënë në pah parregullësi si keqmenaxhim me sipërfaqet e pronave shoqërore; dhënie me qira e pronave duke iu shmangur parimit të konkurrencës; mungesë e hulumtimit të çmimit te tregut; përcaktim i çmimit pa ndonjë mbështetje ligjore” – ka bërë të ditur Spanca.

Ajo ka thënë se vetëm në një rast të analizës, Ndërmarrje Shoqërore Bujqësia, sikur AKP-ja, sipas saj, të kishte marrë për bazë vlerën e kontratës në zonën për rreth, për 10 vite do të inkasonte të hyra më shumë për 277 mijë euro.

Ndërsa sa i përket raportit tjetër të auditimit për Grantin e Performancës, Spanca ka thënë se fokus i këtij raporti ka qenë se si ka funksionuar sistemi i këtij granti gjatë periudhës 2018 – 2021.

“Kthimi i mjeteve në fund vit dhe vonesat e shkaktuara nga alokimi i mjeteve nga financuesit e skemës kishin si rezultat obligime të bartura për komuna, projekte kapitale të pa regjistruara në Programin e Investimeve Publike dhe vonesa apo mos përfundim të projekteve”- ka thënë ndër të tjera Spanca.

Auditimi është kryer në komunat si Skenderaj, Drenas, Lipjan, Vushtrri, Mitrovicë e Jugut, Leposaviq, Shtërpcë, Prizren dhe Pejë. Ndërsa sipas Auditores së Përgjithshme, funksionimi i Grantit ka rezultuar me disa mangësi, ndërsa projektet e financuara nga donatorët ishin përcjellë me dobësi të ndryshme, gjatë zhvillimit të procedurave nga komunat përfituese.