Foto Urim Krasniqi/KALLXO.com

ZKA: Malisheva pagoi mbi 1 milion euro në procedura përmbarimore/gjyqësore

Zyra Kombëtare e Auditorit ka gjetur dobësi në menaxhimin dhe raportimin e obligimeve dhe kostot e procedurave përmbarimore nga ana e Komunës së Malishevës gjatë viti 2021.

Sipas ZKA, Komuna e Malishevës raportimin e obligimeve të papaguara e kishte bërë jo të plotë dhe të saktë.

“Me rastin e vlerësimit të raportimeve mujore për obligimet e papaguara të raportuara në Ministrinë e Financave, ne kemi vërejtur se gjashtë 6 fatura me vlerë të përbashkët 199,707€, nuk ishin përfshirë në raportet mujore të obligimeve të papaguara”, thuhet në raportin e ZKA-së.

ZKA thotë se me rastin e testimit të faturave të pranuara për pagesat brenda afatit të përcaktuar kohor prej 30 ditëve, kanë vërejtur së shtatë fatura në vlerë të përbashkët 239,538€, ishin me vonesa në pagesë nga 12 ditë deri në 222 ditë.

Po ashtu Auditorit thotë se thesari sipas vendimeve gjyqësore/përmbarimore kishte ekzekutuar pagesa nga buxheti i komunës në vlerë prej 1,298,474 euro.

“Komuna nuk ishte në gjendje të na ofrojë se sa ishin shpenzimet për borxhin kryesor, sa për interes dhe sa për tarifën e përmbaruesve”, thotë Auditori.

Sipas ZKA-së, mos prezantimi i plotë i raporteve mujore të obligimeve, është rrjedhojë e mos funksionimit të sistemit të kontrolleve të brendshme, ndërsa mos pagesa e detyrimeve brenda afatit kohor ishte për shkak të planifikimit jo të mirë buxhetor, të alokimit dhe zotimit të mjeteve jo me kohë.

Auditori ka theksuar më tej se mos prezantimi i raporteve të plota për obligime e papaguara, dhe vonesat në kryerjen e pagesave, mund të ndikojnë që komuna të paguaj shpenzime shtesë gjyqësore/përmbarimore si rezultat i padive të ngritura nga operatorët ekonomikë.

Zyra Kombëtare e Auditorit ka rekomanduar që kryetari të forcoj kontrollet e brendshme duke e rrit mbikëqyrjen dhe verifikimin e rregullt të raporteve të obligimeve të papaguara, njëherë duhet të siguroj që të gjitha faturat paguhen brenda afatit ligjor.

ZKA: Malisheva regjistroi pasuri që s’i plotësoi kushtet të regjistrohet si pasuri e komunës