Logo e NP KRU" Prishtina"
ZKA: KRU "Prishtina" në tri konkurse publike kishte pranuar dokumente pasi ishte mbyllur konkursi
Zyra Kombëtare e Auditimit ka gjetur se Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Prishtina” në tri konkurse të ndryshme publike, kishte pranuar dokumente pasi që ishte mbyllur konkursi.
Sipas raportit për KRU Prishtina për vitin 2023, për tri pozitat e shpallura për kontabilist, zyrtar i lartë në shërbimin e faturimit dhe inspektor në shërbim për kontroll dhe shkyçje, ZKA ka vërejtur se kompania kishte pranuar dokumente pas datës së mbylljes së konkurseve.
Dokumentet e pranuara ishin për përvojën e punës, certifikata e lindjes apo certifikata që nuk është nën hetime.
“Për pozitën kontabilist kandidati nuk kishte ofruar dëshminë e përvojës së punës, siç kërkohej në shpallje të konkursit. Meqenëse kompania kishte mundësuar që kandidatët të ofrojnë dokumente shtesë, në rastin konkret kandidati kishte ofruar dëshminë e përvojës së punës jo të plotë dhe përkundër kësaj kompania kishte nxjerrë aktvendim për themelimin e marrëdhëniës së punë” – thuhet në raportin e ZKA-së për ndërmarrjen KRU “Prishtina”.
Sipas ZKA-së, kjo kishte ndodhur për shkak se zyra e personelit nuk kishte trajtuar qartë kërkesat e udhëzimit administrativ të cilat kanë rezultuar dhe me pranim të dokumenteve shtesë.
“Mosaplikimi i procedurave të konkursit publik, mund të diskriminojë personat tjerë potencial për avancime si dhe zbeh kredibilitetin e punësimit në kompani. Bordi i drejtorëve duhet të sigurojë që me rastin e zhvillimit të procedurave të rekrutimit të respektojë kërkesat e parapara me rregullativën ligjore” – thuhet në rekomandimin e ZKA-së për ndërmarrjen KRU “Prishtina”.
Me këtë gjetje është pajtuar edhe KRU “Prishtina”.
KRU “Prishtina” ka marrë opinion të kualifikuar nga ZKA në raportin e vitit 2023. Auditori jep opinion të kualifikuar kur pasqyrat financiare nuk janë në përputhje të plotë me standardet ndërkombëtare.
Në raportin e vitit 2023, KRU “Prishtina” ka marrë 19 rekomandime, prej tyre 14 janë të reja dhe 5 të përsëritura. Zbatueshmëria e këtyre rekomandimeve do të përfshihet në raportin e vitit 2024, i cili do të publikohet në qershor të vitit 2025.
KRU “Prishtina” në raportin e vitit 2022 kishte marrë 10 rekomandime. Deri në fund të procesit të auditimit për vitin 2023, 5 prej tyre i kishte zbatuar dhe 5 nuk i kishte zbatuar.
Në vitin 2023, KRU “Prishtina” ka marrë 9 rekomandime më shumë se në raportin e vitit 2022.
Ndërmarrja ofron shërbimin e ujit për Prishtinën, Fushë Kosovën, Obiliqin, Shtimen, Lipjanin, Podujevën, Drenasin dhe Graçanicën (pjesërisht edhe në komunën e Vushtrrisë).
Raportin e plotë të Zyrës Kombëtare të Auditimit me të gjitha gjetjet dhe rekomandimet për KRU “Prishtina” mund ta lexoni KËTU.