Komuna e Vitisë, Foto: Komuna e Vitisë/Facebook

ZKA: Komuna e Vitisë shkeli rregulloren gjatë ndarjes së subvencioneve

Në thirrjen publike për përfituesit e inkubatorëve për qelje të zoogjve dhe në thirrjen publike për serra, komisioni vlerësues në Komunën e Vitisë kishte bërë përzgjedhjen e fituesve në kundërshtim me rregulloren.

Kjo është gjetje e Zyrës Kombëtare të Auditimit për Komunën e Vitisë për vitin 2021.

Në këtë raport, Auditori gjatë analizimit të 11 aplikacioneve ka gjetur se komisioni vlerësues nuk ka ofruar dëshmi të shkruara në lidhje me vlerësimin, nuk ka mbajtur as procesverbale për ta kuptuar se si ka ardhur deri tek përzgjedhja e përfituesve të subvencionit dhe eliminimit të tjerëve.

“Për më tepër, pesë nga këta 11 aplikues janë eliminuar nga procesi i subvencionimit, por sa i përket dëshmive të gjithë kanë ofruar dëshmi të njëjta, dhe është e vështirë të vlerësohet se në bazë të çfarë kritereve është bërë përzgjedhja”, thuhet në raport të Auditorit.

Te Thirrja Publike për aplikim për Inkubator për çeljen e zogjve, midis kritereve tjera janë përcaktuar edhe kriteret ku përparësi kanë: familjet me gjendje të rëndë ekonomike, kryefamiljaret femra, fermerët që kanë traditë në këtë veprimtari, fermerët të cilët jetojnë në fshatrat më të larta malore, fermerët te cilët kanë kushte të favorshme për vendosjen e lnkubatorit.

Ndërsa te Thirrja Publike për aplikim për Serra midis kritereve tjera janë përcaktuar edhe kriteret ku përparësi kanë: fermerët gra, gatishmëri për të marrë pjesë në trajnime, etj.

Ndërsa, Rregullorja e Komunës për Kushtet, Kriteret dhe Procedurat e Ndarjes së Subvencioneve, Neni 8, përcakton se Komisioni bën shqyrtimin dhe vlerësimin e kërkesave për ndarje të subvencioneve pas përfundimit të afatit të Shpalljes Publike, për të cilin proces mban edhe procesverbal, dhe me shumicë të votave ia rekomandon Kryetarit listën e përfituesve.

Arsyetimi i komisionit vlerësues për këto raste ka qenë se ‘nuk kanë qenë në dijeni se është dashur të përgatitet formular i vlerësimit dhe të mbahen procesverbale’.

Sipas Auditorit, subvencionimi i fermerëve duke mos respektuar kriteret e shpallura në Thirrje Publike dhe mungesa e të dhënave të shkruara në lidhje me ecurinë e procesit të vlerësimit, shfaqë paqartësi tek aplikuesit në lidhje me tërë procesin.

Njëkohësisht kjo, sipas Auditorit, mund të ndikoj në eliminimin e përfituesve potencial të subvencionit.

Auditori ka rekomanduar kryetarin e Komunës së Vitisë, Sokol Halitin që të sigurojë se vartësit e tij që janë pjesë e komisioneve të vlerësimit, me rastin e vlerësimit të aplikacioneve fillimisht duhet t’u përmbahen kritereve të shpallura në thirrje publike, si dhe të respektojnë të gjitha kërkesat e aplikueshme të përcaktuara me Rregullore komunale të subvencioneve.

Me këtë gjetje është pajtuar Komuna e Vitisë.

Raportin e plotë të auditimit të Komunës së Vitisë për vitin 2021 mund ta gjeni KËTU.