Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA), Foto: KALLXO.com
ZKA: Komuna e Gjilanit angazhoi punonjës për shërbime të veçanta pa procedura të prokurimit
Në vitin e kaluar, Komuna e Gjilani raportoi se kishte angazhuar 73 punonjës për shërbime të veçanta, mirëpo pati raste që komuna nuk kishte zhvilluar procedura të prokurimit për angazhimin e tyre.
“Në RVF Komuna raportoi se kishte 73 persona me marrëveshje për shërbime të veçanta, pra me një rritje nga viti i kaluar për 29 persona. Megjithatë, nga pesë (5) mostrat e testuara, kemi evidentuar se komuna nuk kishte zhvilluar procedurat e nevojshme të prokurimit publik për të angazhuar ata. Kontratat e nënshkruara në mes kryetarit dhe personelit të angazhuar përfshinin pozita si: zyrtarë për projekte, zyrtarë për leje ndërtimore, koordinator për politika dhe marrëdhënie ndër-komunale, zyrtar i tatimeve në pronë, dhe zyrtar në Qendrën e Shërbimit për Qytetarë”- thuhet në gjetjen e raportit.
Bëhet e ditur se kjo ka ndodhur si pasojë e mos funksionimit të kontrolleve të brendshme për të menaxhuar proceset në pajtueshmëri me kërkesat ligjore.
Sipas Zyrës Kombëtare të Auditimit [ZKA], mos zbatimi i kritereve të përcaktuara ligjore për angazhimin e personave me marrëveshje për shërbime të veçanta cenon parimin e konkurrencës, transparencës si dhe ndikon në diskriminimin e të tjerëve.
Kreut të komunës ju rekomandua të sigurojë që të respektohen kërkesat ligjore.
“Kryetari të sigurojë se me rastin e angazhimit të personave me marrëveshje për shërbime të veçanta, të respektohen kriteret sipas legjislacionit përkatës”- rekomandon auditori.
Gjetjen ZKA e bazon në nenin 84 të Ligjit për Zyrtarët Publik Nr. 06/L-114, i cili përcakton se, “Marrëveshjet për shërbime të veçanta, sipas paragrafit 4 të nenit 12 të Ligjit të Shërbimit Civil nr. 03/L-149 të Republikës së Kosovës, të lidhura para hyrjes në fuqi të këtij ligji, janë të vlefshme deri në afatin e përcaktuar në ato marrëveshje në pajtim me dispozitat e lartcekura. Pas kësaj periudhe, marrëveshjet për shërbimet e veçanta lidhen sipas legjislacionit përkatës të prokurimit publik”.
Nga Komuna e Gjilanit janë pajtuar me gjetjen e Auditorit.
Për më tepër, nëpërmjet letrës së konfirmimit, të datës 22.05.2024 nga kryetari i Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni konfirmohet se e ka pranuar raportin dhe është pajtuar me gjetjet e raportit pa ndonjë koment për përmbajtjen e raportit të auditimit për “Raporti i auditimit për pasqyrat financiare vjetore të Komunës së Gjilanit për vitin 2023”.
Ndryshe, njashtu kishte gjet se mbi 36 mijë objekte të regjistruara sa ka Komuna e Gjilanit, inspektorati komunal arriti t`i verifikoj vetëm 7 për qind të tyre.
ZKA: Inspektorati verifikoi vetëm 7% nga 36 mijë objekte të regjistruara në Gjilan