Testi i Maturës - Foto: KALLXO.com

ZKA: Kemi audituar testin e semimaturës, nxënësi me 2-sh, i merr 84 pikë

Zyra Kombëtare e Auditimit ka bërë auditimin e performancës për ‘Vlerësimin e nxënësve në testet kombëtare dhe ndërkombëtare’, ku është përfshirë Ministria e Arsimit, si dhe komunat, Novobërdë, Istog dhe Prizren.

Auditimi ka përfshirë periudhën 2018 – 2021.

ZKA-ja në këto auditime ka gjetur se në testet kombëtare, ka pasur dallime të mëdha sa i përket vlerësimit vjetor të nxënësit dhe pikët e arritura në test.

“Rezultatet e testit kombëtar të arritshmërisë janë relativisht të larta dhe ndryshojnë shumë me vlerësimin vjetor që bëhen nga mësimdhënësit. Disa nxënës me notën ‘2’, arritën të marrin deri në 84 pikë nga”, ka thënë Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca, në një konferencë për media.

Tutje, Spanca tha se nuk ka asnjë dëshmi nëse Ministria e Arsimit dhe Drejtoritë Komunale të Arsimit, kanë ndërmarrë ndonjë hap që t’i analizojnë këto dallime, të cilat sipas Spancës, tregojnë se qëllimi i testit të arrtshmërisë nuk është arritur.

Sipas ZKA-së, në lidhje me testet ndërkombëtare, auditimi ka gjetur se institucionet nuk kanë arritur të përmirësojnë metodat e mësimdhënies dhe vlerësimit në përputhje me kërkesat e kurrikulës dhe praktikat të Agjencisë Evropiane për Sigurimin e Cilësisë.

Për më tepër, ZKA-ja thotë se rezultatet në këto teste kanë qenë të dobëta.

“Rezultatet e testeve ndërkombëtare në të cilat ka marrë pjesë Kosova tregojnë se ne po marrim shumë pak pikë krahas me vendet e tjera, në vendin e tretë nga fundi, nga 77 vende pjesëmarrëse, që është tregues se synimi i rezultateve sipas lëndëve në kurrikulë nuk po zbatohet siç është synuar”, ka thënë Vlora Spanca.

Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca, ka mbajtur konferencë për media me rastin e fillimit të publikimit të raporteve të auditimit për sezonin auditues 2021/22.

Ajo tha se dje (e mërkurë) ka miratuar dhe autorizuar dërgimin e 13 raporteve të auditimit në Institucionet përkatëse të audituara, prej tyre 11 raporte të auditimit financiar dhe dy raporte të auditimit të performancës.

ZKA fillon publikimin e raporteve të auditimit për institucionet