Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA), Foto: KALLXO.com

ZKA-ja, institucioni më i besuar i auditimit në rajon

Zyra Kombëtare e Auditimit të Kosovës ka dalë të jetë institucioni më i besuar i audtimit në rajon.

Afërsisht tri të katërtat apo 74% të anketuarve janë shprehur se i besojnë këtij institucioni krahasuar me 36% sa ka qenë në vitin 2020.

Ky është niveli më i lartë i besueshmërisë krahasuar me institucionet supreme të auditimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Këto të dhëna janë bërë të ditura nga Barometri Ballkanik për vitin 2022, publikur nga Këshilli për Bashkëpunim Rajonal.

ZKA, përmes një njoftimi ka bërë të ditur se Këshilli për Bashkëpunim Rajonal, ka publikuar Barometrin Ballkanik për vitin 2022, ku janë prezantuar të dhënat nga hulumtimi i opinionit publik për qëndrimet e qytetarëve dhe bizneseve të vendeve të rajonit për çështjet socio-ekonomike dhe shoqërore që ndikojnë në jetën e tyre të përditshme si dhe nivelin e besueshmërisë në institucionet publike dhe pavarësinë e tyre.

Në kuadër të indikatorit matës, thuhet më tej në njoftim, për nivelin e besueshmërisë në institucionet publike, rezulton se Zyra Kombëtare e Auditimit të Republikës së Kosovës gëzon besimin më të lartë në nivel rajonal.

“Të dhënat e Barometrit Ballkanik, po ashtu tregojnë se 67% e qytetarëve të Republikës së Kosovës e perceptojnë Zyrën Kombëtare të Auditimit si institucion të pavarur nga ndikimi politik nga 32% sa ishte në vitin 202”, thuhet në njoftimin e ZKA-së.

Barometri i Ballkanit ka matur gjithashtu përceptimin e qytetarëve në aspektin se sa institucionet publike përgjegjëse kanë shqyrtuar punën e Qeverisë për ta mbajtur atë përgjegjëse para qytetarëve. Edhe në këtë aspekt, ZKA-ja është vlerësuar mjaft pozitivisht nga të anketuarit.

“Nga ana pozitive, Kosova kryeson edhe në këtë aspekt: 68% e të anketuarve (22% më shumë se në 2020) mendojnë se ZKA-ja është në gjendje të shqyrtojë punën e qeverisë”, thotë  ZKA.