Ilustrim

ZKA: Inspektorët në pikën kufitare në Prizren kanë marrë vetëm një mostër nga mishi i ngrirë

Inspektorët në pikën kufitare të Prizrenit kanë marrë vetëm një mostër nga mishi i ngrirë në kamion ndërsa sipas rregullores është dashur të merren tri mostra në vende të ndryshme të ngarkesës në kamion.

Kjo është evidentuar në raportin e auditimit të performancës të vitit 2019 për sigurinë e ushqimit “Rast studimi: produktet e mishit dhe të grurit”, të realizuar nga Zyra Kombëtare Auditimit.

Për të ofruar një pasqyrë mbi grupin e ushqimit të testuar  inspektorët kufitar veterinar kanë të caktuara kushtet për marrjen e mostrave. Në rastin e mishit të ngrirë mostra duhet të merret nga e tërë ngarkesa (kamioni) dhe në pjesë të ndryshme.

Në Pika inspektuese kufitare të Prizrenit është vërejtur se mostër për mishin e ngrirë merret vetëm në një paketim të mishit brenda ngarkesës (kamionit).

Sipas inspektorëve, arsyeja për një veprim të tillë është për shkak të kushteve joadekuate për veprim.

Në raport thuhet se zakonisht ngarkesat brenda kamionit janë në temperaturë prej -18⁰C ndërsa temperatura e jashtme mund të shkojë deri në +38⁰C.

“Gjithashtu, vonesa në kontrolle brenda kamionit rritë temperaturën, duke shkaktuar dëme materiale apo edhe rritjen e rrezikut për zhvillim të baktereve helmuese që mund të rrezikojnë shëndetin e konsumatorëve”, theksohet në raportin e auditimit.

Sipas Auditorit, një gjë e tillë ka ndodhur për shkak të kostos së lartë financiare për të përgatitur lokacionin të përshtatshëm për kontrolle.

“Mirëpo kontrollet e tilla do të rrisnin sigurinë për produktet e importuara”, vazhdon raporti.

Në pika inspektuese kufitare janë të vendosur edhe inspektorët fito-sanitar, dhe sipas raportit të auditimit, ky sektor përveç kontrolleve merr edhe mostra për produktet me prejardhje bimore.

Gjatë vëzhgimit fizik në pikës inspektuese kufitare të Mitrovicës është vërejtur se edhe pse në bazë të rregullores për kontrolle kufitare mostra duhet të merren së paku në tri pjesë të ngarkesës në kamion, gjatë vëzhgimit është parë që në katër raste është vërejtur që është marr vetëm në një vend dhe atë në pjesën e fundme të kamionit.

Në rastin e Pikës Inspektuese Kufitare të Prizrenit, në mungesë të produkteve të grurit apo miellit, Auditori ka vëzhguar marrjen e mostrës së pjeshkës.

Në këtë rast inspektori ka zbatuar praktikën e njëjtë, duke marr mostër vetëm në një lokacion.

Sipas Auditorit, në rastet e kontrolleve fitosanitare mundësia e marrjes së mostrave në lokacione të ndryshme është më e favorshme për shkak se temperatura mund të jetë deri në -4 ⁰C apo temperaturë në 0⁰C apo më shumë.

Njëkohësisht brenda pikës inspektuese kufitare është i caktuar edhe lokacioni që mundëson edhe marrjen e mostrave në vende të ndryshme brenda një ngarkese.

Në raportin e auditimit thuhet se kjo është bërë për shkak se inspektorët nuk zbatojnë kërkesat që dalin nga rregulloret e inspektimit, gjë që rritë rrezikun që kompanitë importuese të vendosin produkte të cilësisë së lartë në fund të ngarkesës, ndërsa pjesa tjetër të jetë mundësisht ndryshe.

“Një situatë e tillë ka rrezik për produktet që hyjnë në tregun e brendshëm dhe mostrat e marra mund të mos i identifikojnë asnjëherë këto produkte”, theksohet në raport.