ZKA gjen vonesa në realizimin e projekteve në Ministrinë e Mbrojtjes 

Vonesë në realizimin e projekteve dhe mangësi në menaxhimin e tyre është një nga gjetjet që Zyra e Kombëtare e Auditmit prezantoi në raportin e vitit 2023 për Ministrinë e Mbrojtjes.

Sipas ZKA-së, në dy projekte u identifikuan vonesa në realizimin e punimeve përderisa në një projekt kishte pozicione që ishin paguar për pozicione të pa përfunduara.

Zyra e Auditimit theksoi se në projektin “Ndërtimi i objektit të akomodimit Kazerma Istog” në vlerë 659 mijë e 661 euro ishte paraparë të realizohej brenda 365 ditë kalendarike.

Auditori në raportin për MM-në tha se ky projekt është duke u vonuar në përfundimin e tij për së paku 3 muaj.

“Duke i marrë parasysh vonesat me arsye bazuar në dëshmitë e ofruara nga menaxheri i projekti, realizimi i projektit ishte planifikuar të finalizohej në dhjetor të vitit 2023, mirëpo gjatë ekzaminimit fizik kemi vërejtur që projekti nuk ishte kryer (ekzaminimi fizik mars 2024) dhe ende punimet vazhdonin”- theksohet në raport.

Projekti i dytë për të cilën raportoi ZKA është “Renovimi dhe ndërtimi i aneksit në Kazermën e FSK-së në Pomozotin” në vlerë prej 177 mijë e 666 euro.

Ky projekt është thënë se është nënshkruar më 21.06.2023 dhe ishte paraparë të realizohej brenda 120 ditë pune.

ZKA tha se gjatë ekzaminimit fizik në mars 2024 është vërejtur se projekti nuk ishte përfunduar ende.

“Më tutje, ekzekutimi i pagesës për situacionin e tretë në vlerë 52 mijë e 208 euro, sjellja dhe montimi i derës në vlerë 360 euro, nuk ishte vendosur edhe pse ishte bërë pagesa për këtë pozicion” – theksohet tutje.

Gjithashtu Auditori raportoi edhe për projektin “Ndërtimi i urës 4- Baba i Bokës – Gjakovë”, ku ZKA tha se gjatë ekzaminimit fizik vërejtëm se dy shtyllat metalike në vlerë 402 euro edhe pse ishin paguar nuk ishin vendosur. Projekti kishte përfunduar dhe ishte pranuar teknikisht.

Auditori shtoi se tek projekti në Istog fillimisht vonesa kishte ndodhur për shkak se objekti nga Komanda e Forcës Tokësore (G4KFT) nuk ishte liruar me kohë dhe Operatori kishte probleme në fazën e testimit të pajisjeve makinerike, ritrajtimit të izolimeve dhe demolimit dhe rivendosjes së pllakave të qeramikës.

Tutje u shtua se tek projekti në Pomozotin sipas menaxherit të kontratës vonesat janë shkaktuar për shkak se punimet janë zhvilluar brenda objektit ku personeli i komandës së Gardës Kombëtare ka kryer angazhimet e veta ditore në objekt.

“Përderisa sa i përket vendosjes së derës prodhuesi nuk e ka sjell ende, po dera brenda dy dite do të vendoset për të cilën gjatë kohës sa ishim në teren nuk na janë ofruar dëshmi se është vendosur”- tha Auditori.

Në raport u tha se tutje pozicionet për sinjalizimin e urës sipas menaxherit të kontratës nuk janë vendosur për shkak se OE ka kryer punë më shumë.

Sipas ZKA-së mos përgatitja e kushteve infrastrukturore me kohë nga ana e FSK-së, tregon se projektet kishin dobësi qysh në planifikim.

“Po ashtu, mos kryerja e punimeve sipas kushteve kontraktuale, menaxhimi jo i duhur i kontratës, shkakton vonesa të theksuara në realizim. Këto reflektojnë në mos arritjen e objektivave të parapara me buxhetin e vitit aktual, e që problemet e tilla mund të sjellin edhe vështirësi financiare për vitin e ardhshëm fiskal, duke kufizuar realizimin e projekteve të reja” – shtohet tutje.

ZKA i rekomandoi ministrit që në koordinim me FSK-në të sigurojnë që janë ndërmarrë veprimet konkrete dhe me kohë për krijimin e parakushteve të infrastrukturës për të mundësuar përmbushjen e secilës kontratë të nënshkruar.

Po ashtu u rekomandua që menaxherët e kontratave të bëjnë menaxhimin e duhur dhe pagesat të bëhen vetëm për punët e kryera sipas kushteve të parapara me kontratë.

Ministria e Mbrojtjes u pajtua me këtë gjetje të ZKA-së.

Ministria e Mbrojtjes ka marrë opinion të pamodifikuar. Auditori jep opinion të pamodifikuar kur pasqyrat financiare janë në përputhje të plotë me standardet ndërkombëtare.

Në raportin e vitit 2023, kjo ministri ka marrë pesë rekomandime, prej tyre dy rekomandime të reja, një i përsëritur, dhe dy pjesërisht të përsëritur. Zbatueshmëria e këtyre rekomandimeve do të përfshihet në raportin e vitit 2024, i cili do të publikohet në qershor të vitit 2025.

Ndërsa në raportin e Auditorit për këtë ministri në vitin 2022 ishin gjithsej shtatë rekomandime. Deri në fund të procesit të auditimit për vitin 2023, katër rekomandime ishin zbatuar, dy janë zbatuar pjesërisht ndërsa  një rekomandim tjetër nuk kanë filluar të zbatohen.

Raportin e plotë të Zyrës Kombëtare të Auditorit për vitin 2023 me të gjitha gjetjet dhe rekomandimet për Ministrinë e Mbrojtjes mund ta gjeni në këtë LINK.