ZKA gjen mangësi në menaxhimin e specializantëve nga Ministria e Shëndetësisë

Zyra Kombëtare e Auditimit ka gjetur se Ministria e Shëndetësisë ka pasur mangësi në menaxhimin e specializantëve gjatë vitit 2022.

Mangësitë që ZKA ka identifikuar kanë të bëjnë me pushimin e lehonisë, që kanë ndikuar edhe në dëmtimin e buxhetit të Ministrisë.

Tri specializante të rregullta kishin shkuar në pushim të lehonisë pa vendim nga MSH-ja.

Në mungesë të këtij vendimi, specializantet nuk kishin mundur t’i dorëzojnë dokumentet për të përfituar të drejtën e pushimit me pagesë edhe për tre muajt e tjerë nga Qeveria.

Ligji i Punës thotë se gratë e punësuara kanë të drejtën e pushimit të lehonisë deri në një vit. 6 muajt e parë pagesa bëhet nga punëdhënësi, tre muaj nga Qeveria dhe tre muaj të fundit janë pa pagesë. Për të përfituar pagesën nga Qeveria, e punësuara duhet të plotësojë formularin zyrtar dhe t’ia bashkëngjes vendimin e lëshuar nga punëdhënësi për shfrytëzimin e pushimit të lehonisë për 9 ose 12 muaj.

Një mangësi tjetër e identifikuar nga ZKA është se një specializante ishte paguar nëntë muaj nga Ministria e Shëndetësisë, pra tre muaj më shumë nga sa parashesh ligji, me 70% të pagës bazë, duke mos i aplikuar ndalesën e pushimit të lehonisë, ndalesën e shujtës dhe të shtesës për Covid-19.

“Po ashtu, edhe në dy raste tjera shujta dhe shtesa për Covid 19 nuk i ishte ndalur specializanteve që ishin në pushim të lehonisë” – thuhet në raportin e auditimit për pasqyrat financiare vjetore të MSH-së për vitin 2022.

Edhe pse më 9 mars 2022 ministri i Shëndetësisë (në atë kohë Rifat Latifi) kishte vendosur që specializantëve t’u paguheshin dy kujdestari obligative në muaj dhe që pagesa të aplikohej në mënyrë retroaktive që nga janari i 2022-tës, ZKA ka vërejtur që në katër raste janë paguar më shumë se dy kujdestari për disa muaj.

Siç thotë raporti, në listat e pranuara nga SHSKUK, ka pasur pagesa deri në katër kujdestari. Vlera e këtij gabimi ka qenë 5 mijë e 855 euro. Kjo ka ndikuar në dëmtimin e buxhetit.

Me këtë gjetje është pajtuar edhe Ministria e Shëndetësisë.

“Menaxhimi i dobët ishte rezultat i mungesës së kontrolleve për specializantët nga ana e zyrtarëve përgjegjës të ministrisë. Pas shqyrtimit nga ekipi i auditimit të gabimeve dhe tejkalimeve në pagesa, zyrtarët përgjegjës kanë filluar të aplikojnë ndalesat në paga nga viti 2023” – ka konstatuar ZKA.

Rekomandimi i  Zyrës së Auditorit është që ministri duhet të ndërmarrë të gjitha veprimet për të siguruar monitorim të vazhdueshëm të punonjësve/specializantëve ashtu siç parashihet me aktet ligjore.

“Duhet të nxirren vendimet e pushimeve të lehonisë në mënyrë që specializanteve mos t’iu mohohet e drejta e kompenzimit të shtesave nga Qeveria. Në rastet e tejkalimeve duhet të aplikohet ndalesa në pagë për të korigjuar dhe evituar dëmtimin e buxhetit për vlerën e tejkaluar” – thuhet tutje.

Sipas këtij raporti, Ministria e Shëndetësisë në vitin 2022 ka shpenzuar 65% të buxhetit final ose 35 milionë e 744 mijë euro.

Tërë raporti i auditimit ka pasur shtatë rekomandime të ndryshme, prej të cilave katër janë rekomandime të reja, dy të përsëritura dhe një pjesërisht i përsëritur.