Foto: KALLXO.com

ZKA fillon publikimin e raporteve të auditimit për institucionet

Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca, ka mbajtur konferencë për media me rastin e fillimit të publikimit të raporteve të auditimit për sezonin auditues 2021/22.

Ajo tha se dje (e mërkurë) ka miratuar dhe autorizuar dërgimin e 13 raporteve të auditimit në Institucionet përkatëse të audituara, prej tyre 11 raporte të auditimit financiar dhe dy raporte të auditimit të performancës.

Sipas saj, raportet e kryera të auditimit financiar dhe pajtueshmërisë janë dorëzuar për komunat: Gjilan, Skenderaj, Vushtrri, Kamenicë, Graçanicë, Zveçan, Shtërpcë, Mitrovicë të Jugut dhe Veriut dhe Novobërdë.

Ndërsa raportet e auditimit të performancës janë njëri në fushën e prokurimit në KEK dhe raporti për “Vlerësimin e nxënësve në testet ndërkombëtare dhe kombëtare”.

“Ne kemi vlerësuar edhe pajtueshmërinë e aktiviteteve dhe operacioneve të organizatave buxhetore me kornizën ligjore më fuqi. Rezultatet kanë nxjerr në pah se edhe me tutje ekzistojnë parregullsi thelbësore në menaxhimin financiar dhe kontrollit”, tha ajo.

Në kuadër të auditimit në Korporatën Energjetike të Kosovës, Auditorja e Përgjithshme ka theksuar se për prokurimin e zhvilluar gjatë 2018-2020, KEK kishte lidhur 1,060 kontrata me vlerë 181 milionë euro.

“KEK nuk ishte siguruar që në aktivitetet e prokurimit t’i trajtojë barabartë të gjithë operatorët”, tha ajo.

KALLXO.com do të raportojë për gjetjet e ZKA-së nga auditimet nëpër institucionet e vendit.