Foto: ZKA
ZKA: Dy projekte të Komunës së Mitrovicës së Jugut kanë mungesë të garancionit të përformancës dhe orarin e qartë të përcaktuar të pagesave
Sipas raportit të Zyrës Kombëtare të Auditimit (ZKA) për Komunën e Mitrovicës së Jugut për vitin 2023, komuna kishte bërë pagesën në avanse për dy projekte kapitale në vlerë 38,155 euro në mungesë të garancionit të performancës dhe orarin qartazi të përcaktuar të pagesave.
Gjetjet e ZKA-së kanë treguar se bëhet fjalë për ndërtimin e QMF-së në Koshtovë edhe asaj në Stantërg.
“Te kontrata ndërtimi i QMF-së në Koshtovë faza e dytë me vlerë të kontatës 134,373 euro si dhe kontrata ndërtimi i QMF-së në Stantërg me vlerë të kontratës 119,996 euro, për këto projekte komuna kishte dhënë avansin 15% të vlerës së kontratave, por nuk ishte ofruar garancioni i performancës siç kërkohet me ligj dhe orarin qartazi të përcaktuar të pagesave për punën që duhet kryer para se të behët secila pagesë”.
ZKA thekson se shkak i kësaj është mungesa e kontrolleve të brendshme nga zyrtarët përgjegjës sepse ata duhet t’i kërkojnë operatorit ekonomik ta sjellë garancionin e performancës në të kundërtën projekti mund të mos realizohet ashtu siç është paraparë.
Për këtë Zyra Kombëtare e Auditimit, i ka bërë thirrje kryetarit të kësaj komune të sigurojë që për pagesat e bëra në paradhënie të kërkojë sigurimin e garancionit e performancës dhe orarin e pagesave e cila njëkohësisht parasheh punën që duhet kryer.
Me këtë gjetje të ZKA-së është pajtuar Komuna e Mitrovicës së Jugut.
Komuna e Mitrovicës ka marrë opinion të pamodifikuar nga ZKA. Auditori jep opinion të pamodifikuar kur pasqyrat financiare janë në përputhje të plotë me standardet ndërkombëtare.
Në raportin e vitit 2023, kjo komunë ka marrë nëntë rekomandime, prej tyre tri rekomandime të reja, katër të përsëritura, dhe dy pjesërisht të përsëritura. Zbatueshmëria e këtyre rekomandimeve do të përfshihet në raportin e vitit 2024, i cili do të publikohet në qershor të vitit 2025.
Ndërsa në raportin e Auditorit për këtë komunë në vitin 2022 ishin gjithsej 11 rekomandime. Deri në fund të procesit të auditimit për vitin 2023, pesë rekomandime ishin zbatuar, dy në proces të zbatimit dhe katër nuk janë zbatuar ende.
Raportin e plotë të Zyrës Kombëtare të Auditorit për vitin 2023 me të gjitha gjetjet dhe rekomandimet për Komunën e Mitrovicës së Jugut mund ta gjeni në këtë LINK.