Ilustrim

ZKA do të auditojë edhe disa institucione të tjera, mes tjerash edhe RTK-në

Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) ka deklaruar se kanë vendosur të kryejnë auditime të performancës dhe të pajtueshmërisë në disa institucione dhe ndërmarrje publike të rëndësishme për Kuvendin e Kosovës.

Sipas një komunikate për media, ZKA ka njoftuar se do të bëjnë auditime edhe në ndërmarrjet Trepça, KOSST, KEK, RTK dhe auditimit i projektit kapital “Bashkimi i qytetit” në Komunën e Ferizajt.

ZKA ka njoftuar se në auditimin e RTK-së, theks i veçantë do t’i kushtohet aspektit të burimeve njerëzore.

“Auditimi i fondeve publike në Radio Televizionin e Kosovës me theks në aspektin e burimeve njerëzore përfshirë: stafin e rregullt, angazhimin e bashkëpunëtorëve të jashtëm dhe kontraktimin e programeve vendore”, thuhet në njoftim.

“Qëllimi i këtyre auditimeve është të vlerësojë nëse institucionet dhe ndërmarrjet publike kanë arritur rezultate të mira, dhe shfrytëzimi i parasë publike nga transmetuesi publik është në pajtim me kornizën ligjore dhe në interes të taksapaguesve”, thuhet në komunikatën për media.

Tutje thuhet se auditorja e përgjithshme, Vlora Spanca, lidhur me këtë ka deklaruar se përmes këtyre auditimeve synohet forcimi i llogaridhënies, transparencës dhe integritetit të Qeverisë dhe të entiteteve tjera të sektorit publik që fondet publike t’i shpenzojnë në mënyrë ekonomike, me efektivitet dhe efikasitet.