Foto: Kallxo.com

ZKA: Disa lokalet të NPB-së shfrytëzohen pa kontrata valide

Zyra Kombëtare e Auditimit ka identifikuar gjashtë raste në Ndërmarrjen Publike Banesore në Prishtinë, në të cilat kontratat për shfrytëzim të lokaleve kishin skaduar vite më parë derisa ndërmarrja nuk i kishte azhornuar kontratat.

“Lokalet vazhdojnë të shfrytëzohen nga qiramarrësit e njëjtë dhe ndërmarrja i faturon duke u bazuar në rregulloren e brendshme” – thuhet në raportin e auditimit për vitin 2022

Sipas Auditorit, shfrytëzimi i pronave të ndërmarrjes me kontrata të skaduara apo pa to mund të privojë NPB-në nga e drejta e arkëtimit të të hyrave me kohë. Ndërsa, mosazhurnimi i tyre mund të ndikojë që palët të mos pranojnë faturimet që i bën ndërmarrja duke u bazuar në rregulloren e azhurnuar.

“Bordi i drejtorëve duhet të sigurojë se kontrollet në menaxhimin e kontratave të qirasë funksionojnë, njëherit të sigurojë se menaxhimi i tyre bëhet në përputhje me ligjet dhe rregulloret e brendshme në fuqi” – thuhet në rekomandimin e Auditorit për bordin e drejtorëve të NPB-së.

Sipas rregullores mbi dhënien me qira të pasurive komerciale të NPB-së specifikohet se qiradhënësi e fton qiramarrësin me shkrim për aplikim për vazhdim të kontratës mbi qiranë.

Po ashtu, rregullorja për dhënien me qira të pronave të paluajtshme komerciale të NPB-së specifikon që marrëdhënia e qirasë mbi pronat e paluajtshme komerciale të ndërmarrjes mund të themelohet vetëm përmes tri periudhave kohore si në vijim: periudha afatshkurtër themelohet prej së paku në 12 muaj, periudha afatmesme prej 1 viti deri në 3 vite dhe periudha afatgjatë themelohet prej 3 viteve deri në 6 vite.

Me këtë gjetje është pajtuar edhe menaxhmenti i NPB-së.

Zyra Kombëtare e Auditimit ka dhënë opinion të kualifikuar për pasqyrat financiare të NPB-së.

Në raportin e auditimit të vitit 2022, NPB ka marrë 10 rekomandime, prej tyre 7 janë rekomandime të reja dhe tri janë të përsëritura.

Në raportin e vitit 2021, NPB kishte marrë 13 rekomandime dhe prej tyre sipas ZKA-së i ka adresuar 10 dhe tri të tjera ende jo.