Foto: KALLXO.com
Zjarrvënia në Gjykatën e Kaçanikut, Gjykata e liron nga aktakuza të pandehurin Elmedin Raka
Gjykata e Prishtinës ka shpallur aktgjykimin përmes të cilit e ka liruar nga aktakuza të pandehurin Elmedin Raka, i cili akuzohet për rrezikim të rendit kushtetues lidhur me zjarrvënien në Gjykatën e Kaçanikut.
Vendimi është marrë nga trupi gjykues i përbërë nga Kushtrim Shyti kryetar dhe dy anëtarët Violeta Namani-Hajra dhe Rrahman Beqiri.
Gjykata ka liruar Elmedin Rakën pasi sipas trupit gjykues nuk është provuar se ai ka kryer veprën penale.
Kundër këtij aktgjykimi palët kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit në afat prej 30 ditësh.
Elmedin Raka nga Prokuroria Speciale akuzohet për rrezikim të rendit kushtetues përmes shkatërrimit apo dëmtimit të instalimeve dhe pajisjeve publike.
Po ashtu gjyqtari Shyti bëri të ditur se nga sot ndaj të akuzuarit Elmedin Raka ndërpritet masa e paraburgimit.
Po ashtu gjatë ditës së sotme janë dhënë edhe fjalët përfundimtare nga prokurorja Fikrije Krasniqi Fejzullahu, e cila Gjykatën e njoftoi se fjalën përfundimtare do e dorëzojë me shkrim ndërsa gjatë seancës e elaboroi në pika të shkurta.
“Ekzaminimi i telefonit të të pandehurit rezulton që të gjitha bisedat dhe mesazhet janë shlyer vetëm për periudhën inkriminuese”- tha prokurorja Fikrije Krasniqi Fejzullahu gjatë elaborimit të fjalës përfundimtare.
“Nuk është kontestues fakti që nga video-incizimi i siguruar nga Gjykata nuk mund të bëhet identifikimi i tij por provat e ndërlidhura njëra me tjetrën vërtetojnë se i pandehuri Elmedin Raka është kryerës i veprës penale”- shtoi tutje prokurorja.
Në fund prokurorja e kësaj çështjeje kërkoi nga Gjykata që i akuzuari të shpallet fajtor dhe me këtë rast të marrë parasysh një mori rrethanash rënduese si shkallën e lartë të rrezikshmërisë dhe pasojat e shkaktuara në njërën anë e në anën tjetër faktin që këto vepra penale paraqesin rrezik potencial për shoqërinë.
Po ashtu edhe avokatja Fehmije Gashi-Bytyqi ka dhënë fjalën përfundimtare, e cila po ashtu fjalën përfundimtare e dorëzoi me shkrim ndërsa të njëjtën e elaboroi në pika të shkurta.
“Nga shikimi i video-incizimit dëshmohet se kryerësit i kishin fytyrat e mbuluara, raportet e policisë nuk paraqesin provë të drejtpërdrejtë në procedurë penale por vetëm përshkrim të veprimeve policore” – tha avokatja Fehmije Gashi-Bytyqi gjatë elaborimit të fjalës përfundimtare.
Tutje, avokatja tha se nuk ka dyshim që nuk ka asnjë provë apo dëshmi të vetme që do të provonte inkriminimin e të mbrojturit të saj në kryerjen e kësaj vepre penale, andaj kërkoji nga Gjykata që në mungesë të provave të shpallë aktgjykim lirues.
Përveç Elmedin Rakës lidhur me zjarrvënien brenda objektit të Gjykatës së Kaçanikut të akuzuar nga Prokuroria kanë qenë edhe të miturit T.B., M.R. dhe V.T., mirëpo ndaj tyre Gjykata e Ferizajt ka shpallur aktgjykim lirues.
Çfarë thotë dosja e Prokurorisë?
Sipas dosjes së siguruar nga KALLXO, i akuzuari Elmedin Raka dhe i mituri T.B., të maskuar, e kishin hapur me forcë derën e shkallëve emergjente të objektit të Gjykatës në Kaçanik dhe kishin hyrë në katin e dytë të objektit dhe përmes llozit (hekur i trashë e i gjatë për të mbyllur derën nga brenda) i kishin hapur dy zyre të gjyqtarëve dhe në secilën zyre i kishin vendosur nga dy shishe me lëndë djegëse.
Dy të miturit e tjerë me inicialet M.R. dhe V.T. gjatë kësaj kohe, sipas Prokurorisë, kanë bërë roje rreth Gjykatës, pastaj kanë ikur së bashku nga vendi i ngjarjes.
Prokuroria në aktakuzën e saj ka përshkruar se pas shqyrtimit të provave materiale, në veçanti pas ekzaminimit të telefonit të të akuzuarit Raka, ka rezultuar se i njëjti ka elemente ideologjike radikale – vehabiste përmes të cilave shpreh urrejtje dhe mosnjohje të institucioneve shtetërore – respektivisht Gjykatës në Kaçanik.
Tutje, në këtë dosje, përshkruhet se i njëjti i kishte fshirë të gjitha komunikimet dhe regjistrimet e thirrjeve të ditës kritike, e kjo sipas Prokurorisë krijon dyshimin e bazuar se i akuzuari i ka asgjësuar ato me qëllim të ikjes nga përgjegjësia penale.
Prokuroria Speciale më 07.06.2024 kishte njoftuar se ka ngritur aktakuzë ndaj një personi me inicialet E.R. për shkak të veprës penale të rrezikim të rendit kushtetues përmes shkatërrimit apo dëmtimi të instalimeve dhe pajisjeve publike.
Prokuroria Themelore e Ferizajt kishte njoftuar më 15.03.2024 se tre të miturit po dyshohen se ishin autorët e vënies së zjarrit në objektin e Gjykatës Themelore të Ferizajt, Dega në Kaçanik. Ndërsa pak më vonë ishte arrestuar edhe i akuzuari Raka.
KALLXO.com kishte mësuar se gjyqtarët zyrat e të cilëve u dogjën nga zjarri merren me çështje penale.
Raportimet e KALLXO.com lidhur me këtë rast penal mund t`i lexoni duke klikuar në këtë link.