Bosnjë dhe Hercegovinë - Zjarr në kampin e migrantëve Lipa në Bosnjën veriperëndimore, 23 dhjetor 2020.

Zjarri përfshin një kamp të migrantëve në Bosnje

Një zjarr shpërtheu të mërkurën në një qendër migrantësh në Bosnjën veriperëndimore ku ishin vendosur 1.200 njerëz, tha policia rajonale.

Raportohet se nuk ka të lënduar, nga ky incident në kampin Lipa, që ndodhet rreth 30 kilometra nga qyteti i Bihaçit.

Këtë e konfirmoi për Radion Evropa e Lirë, Ale Shiljdediq, zëdhënës Policisë në Kantonit Una-Sana.

Zjarri shpërtheu pasi përfaqësuesit e Organizatës Ndërkombëtare për Migracionin (IOM) filluan tërheqjen e stafit nga kampi të mërkurën duke njoftuar se ata do të ndalonin të gjitha shërbimet që u kishin ofruar migrantëve për tetë muajt e fundit.

Bosnjë dhe Hercegovinë – Zjarr në kampin e migrantëve Lipa në Bosnjën veriperëndimore, 23 dhjetor 2020.

Natasa Omeroviq, menaxherja e kampit, i tha Radios Evropa e Lirë se zjarri përfshiu katër çadrat në të cilat ishin vendosur migrantët. Sipas saj, të gjithë migrantët dhe punonjësit e kampit ishin evakuuar.

Organizata Ndërkombëtare për Migracionin (IOM) e ka shtyrë disa herë mbylljen e kampit, i cili u hap më 21 prill dhe ishte planifikuar për akomodimin e burrave migrantë. Atyre nuk u ofrohet strehim alternativ.

Kombet e Bashkuara në Bosnjë dhe Hercegovinë (BiH) kanë shprehur shqetësim për mungesën e kushteve dhe zgjidhjeve të pranueshme në këtë kamp të përkohshëm.

“Me të paktën 1,500 migrantë të tjerë, azilkërkues dhe refugjatë, përfshirë gratë dhe fëmijët, të lënë tashmë vetëm në kampe pyjore, kryesisht në kantonin Una-Sana, pastaj mungesa e zgjidhjeve emergjente e çon numrin e përgjithshëm të njerëzve që kanë nevojë urgjente për ndihmë humanitare në 3.000 “, thuhet në një deklaratë me shkrim të Kombeve të Bashkuara.

Migrantët evakuohen nga kampi Lipa në Bosnje, pas zjarrit që përfshiu një pjesë të tij.

Më 21 dhjetor, Bashkimi Evropian (BE) është shprehur “i alarmuar” për gjendjen e migrantëve të cilët ndodhen në Bosnje e Hercegovinë. Sipas BE-së, atyre u kanoset rreziku që në këtë kohë dimri të mbeten pa qasje në nevojat elementare siç janë: strehimi, uji dhe ngrohja.

Tre anëtarë të Komisionit Evropian (Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, Komisionarja për Punë të Brendshme, Ylva Johansson dhe Komisionari për Zgjerim dhe Fqinjësi, Oliver Varhelyi) kanë lëshuar një deklaratë të përbashkët, përmes së cilës kërkojnë nga autoritetet në këtë shtet që të tejkalojnë ndasitë politike dhe të mundësojnë zgjidhjen e këtij problemi.

“Situata e migrantëve në Bosnje e Hercegovinë është alarmuese. Me mbylljen e pritur të objektit në Lipa dhe pa dhënien e ndonjë alternative nga autoritetet, mbi 3300 refugjatë dhe migrantë do të përballen me një situatë, gjatë së cilës nuk do të kenë strehim elementar dhe shërbime. Objekti ishte organizuar si një masë e përkohshme për tu përballur me situatën e COVID-19 gjatë verës”, kanë thënë këta zyrtarë të lartë të BE-së.

Në disa vende të Bosnje dhe Hercegovinës popullate lokale po kundërshton hapjen e qendrave të migrantëve. Për një numër gjithnjë e më të madh të migrantëve, Bosnje dhe Hercegovina është bërë një vend nga i cili ata tentojnë të hyjnë në territorin e BE-së, duke kaluar ilegalisht kufirin me Kroacinë. Por, autoritetet kroate nuk i lejojnë dhe, sipas disa raporteve të organizatave joqeveritare, i kthejnë ata në Bosnje dhe Hercegovinë. Rel