Zjarri në Prevallë ende nuk është shuar, autoritetet thonë se situata s’është alarmante

Zjarri i cili ka përfshirë një pjesë të Prevallës është duke vazhduar edhe të martën, më 13.08.2024, por sipas informatave që ka dhënë për Kallxo.com, drejtoresha e Emergjencës dhe Sigurisë në Komunën e Prizrenit, Ramize Shala, gjendja nuk është alarmante.

Lidhur më këtë rast, sipas saj, është krijuar edhe Shtabi emergjent i cili është duke funksionuar në bashkëpunim me Emergjencën, Zjarrfikësit dhe Policinë për ta mbajtur situatën nën kontroll.

“Nuk është alarmante situata. Zjarri po vazhdon në pjesët ku zjarrfikësit nuk munden me pas qasje. Jemi mbi 70 persona në vendin e ngjarjes duke u marr me situatën, duke përfshirë Policinë, Ambulancën, zjarrfikësit d.m.th të gjitha masat e sigurisë janë marrë. Shtabi emergjent është krijuar dhe jemi në vendin e ngjarjes bashkë me zv.ministrin e Punëve të Brendshme, Blerim Gashani”, ka deklaruar Shala.

Nga Drejtoria e Emergjencës në Prizren kanë njoftuar se kanë pranuar edhe përforcime nga komunat tjera për ta ndalur zjarrin i cili ende po vazhdon në Prevallë.

“Kemi përforcime nga Komuna e Prishtinës, Ferizajt dhe Gjakovës”, – ka deklaruar Shala.

Gjithashtu edhe nga Policia e Kosovës kanë konfirmuar për Kallxo.com se ekipet e policisë janë në terren dhe janë duke ofruar mbështetje për siguri që situata të jetë nën kontroll.

“Grupi punues është prezent në vendin e ngjarjes duke ndihmuar në sigurinë dhe identifikimin e personave si dhe lirimin e hapësirave të rrugëve, që ndihmojnë në shuarjen e zjarrit”, – ka thënë Vesel Gashi nga Policia e Kosovës për regjionin e Prizrenit.

Zjarri në Prevallë ka filluar me datën 05.08.2024.

Nga Drejtoria e Emergjencës dhe Sigurisë në Prizren thonë së pasi të ndalet zjarri, drejtoria e Parkut Nacional do të evidentoj sa është hapësira e cila është përfshirë nga zjarri.