Zjarri në IML, Prokuroria vazhdon hetimet

Dy zyre të Institutit të Mjekësisë Ligjore u kapluan nga zjarri në orët e hershme të ditës së djeshme.

Njëra nga këto zyre i takon edhe drejtorit të IML-së, Ditor Halilit, e njoftimet zyrtare bëjnë me dije se nuk ka pasur djegie ose dëmtim të mbetjeve mortore, arkivës së Institutit dhe mostrave.

Që nga mëngjesi i djeshëm, Prokuroria Themelore në Prishtinë e hetuesit e departamentit të hetimeve të Policisë së Kosovës janë duke vazhduar me veprime hetimore për zbardhjen e rastit.

Në një përgjigje për KALLXO.com, zëdhënësja e Prokurorisë, Laureta Ulaj ka bërë të ditur se janë duke vazhduar ndërmarrjen e veprimeve hetimore në koordinim me institucionet relevante.

Ulaj tha se në këtë fazë, me qëllim që të mos ndikohet në hetime, nuk mund të japin detaje të tjera.

KALLXO.com gjatë ditë së djeshme raportoi për historikun e zjarrit që kaploi gjatë vitit këtë objekt.

Në ditët e fundit të marsit të këtij viti, një zjarr ishte ndezur në zyret e kësaj ndërtese. Asokohe, Prokuroria kishte intervistuar edhe kujdestarët që kishin qenë prezent.

Ndërsa për zjarrin e djeshëm, institucionet e drejtësisë e edhe forcat e rendit ende nuk kanë treguar nëse ka ndonjë të dyshuar apo është intervistuar ndonjë person.