Zjarri afër aeroportit, Prokuroria jep detajet

Prokuroria e Prishtinës ka njoftuar se se ka ndërmarrë veprime hetimore lidhur me zjarrin në afërsi të Aeroportit të Prishtinës më 13.08.2024 pas mesnatës – nga i cili një person u lëndua dhe 20 vetura të parkuara dhe një objekt biznesi u përfshinë nga zjarri.

Kështu ka konfirmuar për KALLXO.com, zëdhënësja e Prokurorisë, Laureta Ulaj.

“Ju njoftojmë se janë ndërmarrë veprime hetimore nga vendi i ngjarjes, e po ashtu, Prokurori i Shtetit ka lëshuar disa autorizime, për t’i sqaruar rrethanat e rastit, ndër tjerash, janë marrë pamjet nga kamerat, është identifikuar dhe intervistuar i dyshuari (bashkëpronari i biznesit), për shkak të veprës penale ‘Shkaktimi i rrezikut të përgjithshëm’, sipas Kodit Penal” – thuhet në përgjigjen e Ulajt më 13.08.2024.

Prokuroria po dyshon se zjarri është shkaktuar nga pakujdesia.

“Në bazë të provave të siguruara deri më tani, rezulton se i njëjti dyshohet ta ketë kryer këtë vepër penale nga pakujdesia” – vijon më tej përgjigja e zëdhënëses

“Rasti po vazhdon të hetohet tutje në bashkëpunim me njësitë relevante” – vijon përgjgija.

Ndërsa personi i cili mbeti i lënduar si pasojë e një zjarri në afërsi të Aeroportit të Prishtinës më 13.08.2024 është në gjendje të mirë shëndetësore, kanë konfirmuar për KALLXO.com nga Qendra Klinike Universitare e Kosovës (QKUK).