Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Zjarri afër aeroportit, flasin nga QKUK-ja për gjendjen e personit që pësoi lëndime

Personi i cili mbeti i lënduar si pasojë e një zjarri në afërsi të Aeroportit të Prishtinës më 13.08.2024 është në gjendje të mirë shëndetësore, kanë konfirmuar për KALLXO.com nga Qendra Klinike Universitare e Kosovës (QKUK).

KALLXO.com ka kontaktuar me mjeken kujdestare në QKUK Dafina Rushiti, e cila tha se personi i lënduar është në gjendje të mirë shëndetësore.

“Ka pasur vetëm djegie të shkallës së parë, nuk ka qenë diçka serioze dhe pas trajtimit mjekësor që ka marrë është dërguar për në shtëpi”– tha ajo.

Rreth orës 01:30 pas mesnatës ka ndodhur një incident zjarri në afërsi të Aeroportit të Prishtinës dhe si pasojë e këtij zjarri ka mbetur i lënduar një person si dhe janë djegur 20 vetura që ishin të parkuara në atë zonë, si dhe  objekti i një biznesi.

Rastin e kishte konfirmuar për KALLXO.com, zëdhënësja e Policisë për rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti.

Sipas saj, hetuesit policorë po merren me rastin, ndërkaq rasti është cilësuar si shkaktim i rrezikut të përgjithshëm.