Objekti i zjarrfikësve në Ferizaj, Foto:Gentiana Ahmeti, KALLXO.com

Zjarrfikësit në Ferizaj punojnë në kushte të rënda

Pa e menduar rrezikun, nisnin punën zjarrfikësit në Ferizaj. Bahri Ramadani, vozitës zjarrfikës së bashku me kolegët e tij qëndronin të gatshëm për zilen, e cila mund të binte në çdo moment dhe të niseshin në drejtim të shuarjes së zjarrit apo të ndonjë ndihme tjetër.

“Kur kemi dal prej kontrollës teknike, vetura është bartë me një anë dhe ka qenë duke na largu prej rrugës. Jemi kanë duke shku për në Komogllavë, afër urës së madhe aty, kur kam dashtë me e largu, sepse frenat nuk i kemi pas asnjëherë si duhet”, ka thënë Bahri Ramadani, vozitës zjarrfikës.

Me automjete të prishura, mungesë të radiolidhjeve, mjeteve higjienike, sistem të ngrohjes përballën punëtorët e Njësisë Profesionale të Zjarrfikësve dhe Shpëtimit(NJPZSH), në Ferizaj.

Radiolidhjet në Njësinë Profesionale të Zjarrfikësve dhe Shpëtimit, Ferizaj, Foto: Gentiana Ahmeti, KALLXO.com

KALLXO.com ka vizituar zjarrfikësit dhe ka parë nga afër gjendjen e këtij njësiti.

U.d. i komandantit NJPZSH, Zimri Krasniqi ka bërë të ditur se servisimi i automjeteve nuk është bërë të paktën tri vitet e fundit.

“Sa i përket automjeteve lirisht mund të them se që tri vite si pas informacioneve komunale mos hapja e tenderëve dhe ankesave gjyqësore te kompanive kemi mbetur pa servisim dhe pa rregullim të automjeteve ku dita ditës punët janë ka vështirësohen”, është shprehur Krasniqi.

 

Vetura e zjarrfikësve, Foto: Gentiana Ahmeti, KALLXO.com
Vetura e zjarrfikësve e pa rregulluar, Foto: Gentian Ahmeti, KALLXO.com

Përveç, gjendjes jo të mirë të veturave, Krasniqi ka bërë të ditur se renovimi i fundit i bërë në objektin ku janë të vendosur zjarrfikësit është bërë në vitin 2010/2011

“Renovimi i objektit ka qenë i brendshëm edhe janë rinovuar (ndërruar): Dritaret dhe dyert, shtuar disa zyre, rregullimi i tualetit (VC), është bërë suvatimi i brendshëm i objektit dhe gjatë këtij renovimi janë vendosur dhe ngrohja e cila nuk kanë hyrë qarkullim (mendohet në funksion) asnjëherë”, ka thënë ai.

Mungesë tjetër në këtë objekt kanë qenë edhe produktet higjenike, të cilat në të shumtën e rasteve punëtorët i sigurojnë vetë.

Tualetet pa sapun në NJPZSH, Ferizaj, Foto: Gentiana Ahmeti, KALLXO.com

Për këtë çështje KALLXO.com ka kontaktuar Arben Hallin, drejtor në Drejtorinë e Shërbimeve Publike dhe Emergjente.

“Unë nuk mundem me ditë se sa ka mungesë, komandanti duhet me më informu dhe ne e bëjmë furnizimin”, ka thënë Halili.

Halili ka thënë se në të shumtën e rasteve Ministria dhe AME-ja ia kalon përgjegjësitë Komunës.

“Ministria e Mbrojtjes dhe AME nuk e kanë problem sigurimin e qytetarëve, e shohin krejt ndryshe dhe mundohen krejt problematikat me ia u gjuajt komunës”, ka thënë ai.

Zjarrfikësit punojnë pa asnjë sigurim shëndetësorë edhe kur ata lëndohen në vend të punës.

Menaxhimi i zjarrfikësve në Kosovë është i rregulluar sipas ligjit për ‘Zjarrfikje dhe shpëtim’ I miratuar në vitin 2011, përmes të cilit thuhet se përgjegjës janë Ministria e Punëve të Brendshme, Agjencia e Menaxhimit Emergjent (AME) dhe Komunat.