Zjarrfikësit e Kroacisë që shkuan të parët në vendin e ngjarjes: Asgjë nuk mund t’ju përgatisë për skena të tilla

Komandanti i Zjarrfikëseve në Sllavonski Brod, Ivan Vuleta dhe zëvendëskomandanti, Mario Tonqek, kanë rrëfyer momentin kur kanë mbërritur në vendin ku kishte ndodhur aksidenti i djeshëm i autobusit nga Kosova.

Ata ishin të parët që arritën në vendin e aksidentit.

Mario Tonqek tha se raporti i parë ishte se një autobus po digjej.

“Por kur mbërritëm në vendin e ngjarjes pamë që zjarri ishte shuar, por gjetëm një skenë të tmerrshme, shumë të plagosur dhe shumë të vdekur. Ekipet tona që erdhën në fushë menjëherë kërkuan ndihmë. Duke pasur parasysh afërsinë e njësisë, ajo erdhi shpejt”, rrëfën ai, raporton index.hr

Ai e konsideron këtë aksident si një nga aksidentet më me fatalitet në këtë rajon.

“Ata menjëherë filluan të tërheqin pasagjerët të cilët nuk dolën me iniciativë të tyre, me britmat dhe ankesat e tyre, dhe pastaj ata filluan të shpëtonin njerëzit e bllokuar që ishin në autobus dhe nën autobus. Skenat definitivisht nuk janë për të gjithë, ato janë trauma të rënda, si për udhëtarin ashtu edhe për ekipet e shpëtimit. Asgjë nuk mund t’ju ​​përgatisë për skena të tilla. Nuk mbaj mend një aksident kaq të madh me kaq shumë fatalitete dhe lëndime”, tha Tonqek për RTL.

Ndërsa, Ivan Vuleta, tha se për fat të keq, pas aksidenteve të tilla, nuk ka ndihmë profesionale psikologjike për punonjësit e brigadave të zjarrfikësve.

“Do të ishte mirë nëse do të kishte një shërbim që do të reagonte menjëherë pas ngjarjeve të tilla, i cili do të vinte dhe do të bënte gjithçka të nevojshme me të gjitha shërbimet e urgjencës. Ishte një situatë stresuese dhe ndihma e tillë do të ishte e dobishme”, tha Vuleta.

Ai tha se do të flasë me 12 zjarrfikësit dhe do t’i pyes se si ndihen pas ndërhyrjes së djeshme.

“Në shërbimin tonë, pas ndërhyrjeve të tilla, ne po bëjmë një analizë, ne do t’i kushtojmë vëmendje të veçantë ngjarjes së tmerrshme dhe stresit që ata përjetuan, do të flasim me ta dhe nëse është e nevojshme do të kërkojmë ndihmë”, tha ai.

Si pasojë e aksidentit, që ka ndodhur në orët e para të mëngjesit më 25 korrik në Kroaci, kanë vdekur 10 persona dhe janë plagosur mbi 40 të tjerë.

Mbi 20 pacientë, të plagosur nga aksidenti, janë të gatshëm të lëshohen nga spitali më 26 korrik. Njëri nga pacientët është në gjendje kritike.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e ka shpallur ditën e sotme ditë zie.