Zjarrfikësit e Kosovës, Foto: KALLXO.com
Zjarrfikësit ankohen se nuk u janë paguar shtesat e gushtit
Zjarrfikësit e Kosovës po ankohen se këtë muaj nuk u janë paguar shtesat për punën e ndërrimit të natës, gjatë festave, fundjavave dhe orëve shtesë.
Kryetari i Sindikatës së Zjarrfikësve, Muharrem Beka tha se nuk e dinë arsyen, por gjendje e tillë është në të gjitha komunat.
“Asnjë komunë nuk ka bërë ekzekutim të shtesave, punë jashtë orarit, orari i ndërrimit të natës, festave e këto. Nuk e dimë arsyen. Asnjë kompensim shtesë në pagë nuk është bërë” – tha Beka për KALLXO.com.
Edhe komandanti i zjarrfikësve në Ferizaj, Zymri Krasniqi tha se këtë muaj u kanë dalë rreth 130 euro më pak, varësisht koeficientit dhe orarit të secilit.
“Na kanë dalë nga 130 euro më pak. Nuk e dimë pse. Ka dalë paga bazë 525 euro, është dashtë me dalë më së paku 635 euro, varet se me koeficient shkon” – tha Krasniqi.
Ai theksoi se këtë muaj kanë punuar më shumë pas orarit, duke marrë parasysh zjarret më të shpeshta.
Krasniqi shtoi se këto pagesa nuk u janë bërë as gjatë muajve janar – tetor 2023.
Kryetari i Sindikatës, Beka tha se kanë kërkuar disa herë takim me Ministrinë e Punëve të Brendshme, por nuk kanë marrë përgjigje pozitive.
“Ju kam shkru qysh ma herët- ndodhi rasti që humbi jetën zjarrfikësi. ‘Ju lutem urgjent një takim na duhet.’ Ma kthyen një përgjigje që ministri nuk është këtu. Mandej i kam thirrë prapë, më kanë thanë ‘Jemi duke u kordinu edhe me financat, me këqyr një takim me e ba. Dhe nuk m’thirrën hala” – tha ai.
KALLXO.com ka kërkuar përgjigje lidhur me këtë çështje edhe nga Ministria e Financave dhe Ministria e Punëve të Brendshme, mirëpo deri në publikimin e këtij artikulli, asnjëra nuk ka ofruar përgjigje.
Zjarrfikësi Sefadin Osmanaj ka vdekur në vendin e tij të punës gjatë fikjes së zjarrit në fshatin Kurshevë të Vogël të Klinës, më 08.08.2024.
Zjarrfikësit e Kosovës kanë protestuar para objektit të Qeverisë së Kosovës për shkak të kushteve të tyre të punës më 30.11.2023.