Zjarret përfshijnë Hollywoodin, 100 mijë persona urdhërohen të zhvendosen

Zjarret e rrëmbyeshme përreth Los Anxhelosit janë përhapur edhe në kodrat e Hollywoodit, pasi vatra të tjera zjarresh kanë lënë të vdekur së paku pesë persona, duke shkatërruar qindra shtëpi dhe sfiduar burimet e zjarrfikësve, si dhe duke kufizuar burimet e furnizimit me ujë – ka raportuar të enjten, më 09.01.2025, Reuters.

Më shumë se 100 mijë persona janë urdhëruar që të evakuohen derisa erërat e thata e të fuqishme kanë vështirësuar operacionet e zjarrfikësve dhe kanë përhapur edhe më shumë flakët e egra, që kanë djegur mijëra hektarë prejse zjarret shpërthyen të martën.

“Kjo stuhi zjarri është aso e madhe.” – ka deklaruar kryetarja e Los Anxhelosit, Karen Bass në një Konferencë për media pasi është kthyer në qytet – duke ndërprerë udhëtimin zyrtar në Ganë.

Një vatër e re zjarri ka shpërthyer në Hollywood Hills të mërkurën në mbrëmje, ka bërë të ditur shefja e Brigadës lokale të zjarrfikësve, Kristin Crowley, duke ditur evakuime të reja dhe ngritur numrin e vatrave të mëdha të zjarrit në rajonin e Los Anxhelosit në së paku gjashtë sosh.

Katër prej tyre nuk ka pasur mundësi fare të frenohen, kanë thënë zyrtarët lokalë, duke theksuar se zjarret në anët lindore dhe perëndimore të qytetit kanë vazhduar të zgjerohen gjatë orëve të mbrëmjes.

Ndërkohë zjarret në zonën e famshme të Hollywoodit kanë djegur 20 hektarë toke të mërkurën, kanë njoftuar Brigadat e zjarrfikësve të shtetit të Kalifornisë. Ekipe helikopterësh dhe kamionësh me personel duket se kanë nisur të shënojnë përparim në luftën e tyre me këto vatra zjarresh.

Departamenti i Zjarrfikësve i Los Anxhelosit ka lëshuar urdhër për evakuim të personave brenda rrezes së Bulevardit Hollywood, Mulholland Drivet, 101 Freewayt dhe Laurel Canyon Boulevardit – të gjitha adresa ikonike për industrinë e argëtimit.

Përgatiti: Rexhep Maloku – Kallxo.com