Foto: Komuna e Skenderajt

Zjarret e ndezura lënë pa rrymë një fshat të Mitrovicës

Komuna e Mitrovicës u ka bërë thirrje qytetarëve që të mos ndezin zjarre dhetë kujdesen për mjedisin në një kohë kur vendi po kalon në një situatë të pandemisë për shkak të virusit COVID-19.

Në një komunikatë, komuna tha se javët e fundit edhe në regjionin e Mitrovicës është përhapur dukuria e ndezjes së zjarreve në natyrë, dhe si pasojë e saj kanë filluar të digjen shumë sipërfaqe me kullosa dhe me pyje.

“Edhe pse gjatë gjithë kohës rojet e pyjeve janë në teren dhe kanë parandaluar disa vatra të reja të zjarreve, sikurse edhe zjarrfikësit e Mitrovicës, prapë persona të pandergjegjshëm janë duke djegur sipërfaqe të konsiderueshme të kullosave dhe pyjeve në territorin e Mitrovicës”, thuhet në komunikatë.

“Për shkak të situatës së krijuar nga virusi COVID-19, kjo e bënë edhe më të vështirë dhe e rëndon edhe më tepër në këtë kohë pandemie, pasi që po digjen shpesh edhe shtyllat elektrike dhe fshatrat në ato zona po mbesin pa energji elektrike, siç është rasti me banorët e Zabërgjes”, vazhdon komunikata.

Andaj Komuna e Mitrovicës përkatësisht u ka bërë thirrje qytetarëve që të ndalin këtë dukuri, në mënyrë që të ruajmë ambientin, natyrën dhe bukurinë e saj, pasi që kështu ruajmë edhe shëndetin tonë.

 

 

Ky botim është prodhuar me përkrahjen e Bashkimit Europian. Përmbajtja e këtij botimi është përgjegjësi e BIRN-it dhe në asnjë mënyrë nuk mund të konsiderohet si qëndrim i Bashkimit Europian.