Zjarre në 'Bjeshkët e Lubeniqit' në Pejë
Një zjarr ka përfshirë zonën e njohur si “Bjeshkët e Lubeniqit” në komunën e Pejës.
Lajmin për KALLXO.com e ka konfirmuar drejtori për Mbrojtje dhe Shpëtim, Gëzim Gashi, i cili ka thënë se të lënduar dhe dëme materiale nga zjarri deri më tani nuk ka.
Përmes telefonit, Gashi ka bërë të ditur se zjarre ka pasur edhe mbrëmë në zonën e Rugovës, konkretisht në fshatin Rekë e Allagës, por që tashmë është lokalizuar dhe fikur.
“Zjarr aktiv për momentin është në “Bjeshkët e Lubeniqit” në Pejë, vetëm ajo pjesë për momentin. Në pjesën e Rugovës ka pasur zjarr në fshatin Reka e Allagës, por aty është shuar tashmë zjarri” – ka thënë Gashi.
Ai ka bërë të ditur se aktualisht zjarrfikësit gjenden në vendin e ngjarjes, por që ka vështirësi për shkak të terenit.
“Në “Bjeshkët e Lubeniqit” jemi në teren bashkë me zjarrfikës, por tereni është i vështirë, po na merr pak kohë. Por gjithsesi për nja 1 ditë apo 2 ditë jemi në gjendje me ndalë” – ka thënë Gashi.
Sipas tij, zjarret janë larg zonave të banuara.