Zjarre dhe temperatura rekorde në perëndim të SHBA-së

Disa zjarre kanë përfshirë pjesën perëndimore të SHBA-së, në kohën kur rajoni po përjeton një valë rekorde të nxehtësisë.

Komuniteteve u është thënë të evakuohen, derisa zjarrfikësit luftojnë me flakët.

Dy zjarrfikës në Arizona kanë humbur jetën, pasi avioni i tyre është rrëzuar.

Zjarrfikësit thonë se ajri është aq i thatë, saqë shumë ujë që bie nga avionët për të shuar flakët, avullohet përpara se të arrijë në tokë.

Të shtunën, temperatura në Las Vegas ka shënuar rekord: 47.2 gradë Celsius.

Vala e nxehtësisë vjen vetëm pak javë pas një vale tjetër që ka përfshirë Amerikën e Veriut, duke shkaktuar qindra viktima të papritura.

Sipas Shërbimit Kombëtar të Motit në SHBA, temperaturat në disa zona të Nevadës dhe Kalifornisë janë të ngjashme me rekordet e mëparshme ose i kanë tejkaluar ato.

Në Luginën e Vdekjes në Kaliforni, të premten, temperatura ka arritur në 54.4 gradë Celsius, që përputhet me temperaturën e regjistruar në gusht të vitit 2020.

Miliona njerëz janë vendosur nën alarmin e nxehtësisë, me rekomandimet që të pinë sa më shumë ujë dhe të qëndrojnë në ambinete me ajër të kondicionuar, kur është e mundur.

Hapësira publike me ajër të kondicionuar janë ngritur në disa zona për të ndihmuar banorët.

Paralajmërime për temperatura të larta janë lëshuar edhe për disa pjesë të Kanadasë./REL