Zjarr në shtegun e Liqenatit në Bjeshkët e Nemuna. Foto: Shërbimi i Kërkim-Shpëtimit Malor të Kosovës, 02.08.2024.
Zjarr në shtegun e Liqenatit në bjeshkët e Rugovës, kërkohet të evitohet ecja në zonë
Shtegu i Liqenatit në Bjeshkët e Nemuna të Rugovës është përfshirë nga zjarri në disa vatra, sipas Shërbimit të Kërkim-Shpëtimit Malor të Kosovës.
Prandaj, është kërkuar që të evituar ky shteg deri në shuarjen e zjarreve.
“Të nderuar bjeshkatarë, ju njoftojmë se në shtegun e Liqenatit, në bjeshkët e Nemuna të Rugovës, kemi shpërndarje të vatrave të zjarrit përgjatë shtegut! Andaj luteni ta evitoni këtë shteg për një kohë të pacaktuar, deri në shuarjen e zjarreve!” – thuhet në njoftim.
Katër ditë më parë, Agjencia e Menaxhimit të Emergjencave (AME) ka thënë se nuk ka rrezik në nivel vendi sa i përket zjarreve.
AME tha se gjatë qershorit dhe korrikut përveç rasteve të izoluara në zjarre të hapura fushore dhe malore të menaxhuara nga kapaciteti i komunave, nuk është paraqitur rrezik në nivel vendi.