Foto: Parku Nacional i Sharrit

Zjarr në Parkun Kombëtar "Sharri", bëhet thirrje për ndihmë

Grupi administrues i Parkut Kombëtar “Sharri” u ka bërë thirrje qytetarëve dhe dashamirësve të natyrës që t’i dalin në ndihmë për shuarjen e zjarreve përreth kësaj zone.

“Në këto momente jemi duke u ballafaqur me një zjarr sipërfaqësor në zonën menaxhuese OSHLAK, ju ftojmë të na dilni në ndihmë për shuarjen e zjarrit deri sa nuk e ka përfshi sipërfaqën e pishave”- shkruan në thirrjen e Parkut Kombëtar.

Të gjithë ata që kanë mundësi për ndihmë, administruesit kanë bërë thirrje që mund të lajmërohen në numrin e telefonit 049597117.

Më 02.08.2024, Komuna e Pejës ka kërkuar ndihmën e nivelit qendror në Agjencinë e Menaxhimit të Emergjencave (AME) për të shuar zjarrin në shtegun e Liqenatit në Bjeshkët e Nemuna.

Për shkak të terrenit të vështirë edhe AME ka kërkuar ndihmën e KFOR-it.

Më 29.07.2024, Agjencia e Menaxhimit të Emergjencave (AME) ka thënë se nuk ka rrezik në nivel vendi sa u përket zjarreve.

AME tha se gjatë qershorit dhe korrikut përveç rasteve të izoluara në zjarre të hapura fushore dhe malore të menaxhuara nga kapaciteti i komunave, nuk është paraqitur rrezik në nivel vendi.

Më 01.08.2024, kryeministri Albin Kurti ka mbledhur Këshillin e Sigurisë, ku ndër të tjera u diskutua për shtimin e aktiviteteve për të parandaluar por edhe mbajtur nën kontroll përhapjen e zjarreve, si dhe masat e tjera në shërbim të rritjes së sigurisë në komunikacion.