Zjarr në një shtëpi në Prishtinë, dyshohet për një person të vdekur

Një person dyshohet se ka vdekur, pas një zjarri që ka përfshirë një shtëpi në lagjen Ulpiana në Prishtinë.

Rrethanat e kësaj ngjarje, policia po i cilëson si të dyshimta.

Rastin e ka konfirmuar për KALLXO.com, zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Prishtinës, Agron Borovci.

“Rreth orës 09:00 është pranuar informata për një zjarr në një shtëpi në rrugën ‘Musine Kokalari’ në lagjen Ulpiana në Prishtinë. Menjëherë njësitë policore kanë dalë në vendin e ngjarjes ku kanë ftuar edhe zjarrfikësit të cilët kanë lokalizuar zjarrin”, thuhet në përgjigjen e tij.

Sipas Borovcit, bazuar në të dhënat fillestare nga këqyrja  e vendit të ngjarjes, dyshohet për një person të vdekur (shtetas i huaj) në rrethana të dyshimta brenda objektit të përfshirë nga zjarri.

Aktualisht policia thotë se ka nisur një hetim lidhur me rastin respektivisht për rrethanat e kësaj vdekjeje të dyshimtë si dhe shkaqeve të zjarrit, por edhe ndërlidhjen eventuale mes tyre.