Ndërtesa e Telekomit, FOTO: BIRN

Zhvlerësohen të gjitha gradimet e bëra në Telekom gjatë viteve 2018-2019

Bordi i Ndërmarrjes Publike Telekomi i Kosovës, ka marrë vendim që të gjitha gradimet që kanë ndodhur me vendime gjatë viteve 2018 dhe 2019, të kthehen në pikën zero.

Siç është thënë në letrën, të cilën Telekomi i Kosovës ua ka dërguar personaliet të kësaj ndërmarrjeje, vendimi është në përputhje edhe me rekomandimet e Zyrës Kombëtare të Auditimit (ZKA).

“Punësimet e vitit 2018 dhe ato të vitit 2019 të cilët/at janë graduar me vendime dhe nuk kanë kontratë pune për pozitën aktuale, të kthehen në kontratën bazë të punës”, thuhet në pikën e parë të letrës.

“Në të gjitha të gjeturat e ZKA të vitit 2018 dhe ato të vitit 2019 për lëvizje të stafit të cilët/at kanë kaluar prej njërës gradë/pozitë në gradën/pozitën tjetër me vendime deri në një vendim tjetër, të kthehen në kontratën bazë të punës, përjashtim rasteve të degradimeve. Vendimi është bërë i plotfuqishëm dhe ka hyrë në fuqi nga data 18.06.2021”, thuhet tutje në letër.

Fadil Lepaja nga zyra për komunikim në Telekomin e Kosovës e ka konfirmuar se vendimet e Bordit të Drejtorëve të Telekomit kanë të bëjnë me rekomandimet e ZKA-së.

“Në fakt kemi të bëjmë me dy njoftime të U.D të kryeshefit ekzekutiv të Telekomit të Kosovës sh.a. për punëtorët e kompanisë. Njoftimet kanë të bëjnë me disa vendime të Bordit të Drejtorëve, si reagim ndaj të gjeturave të ZKA-së (Zyra Kombëtare e Auditimit). Këto njoftime ishin pjesë e komunikimit të brendshëm të kompanisë, për të kuptuar punëtorët se çfarë po ndodhë dhe pse ishin të domosdoshme këto masa”, ka thënë Lepaja për KALLXO.com.

Sipas tij, vendimet kanë disa qëllime.

“Ky është vetëm fillimi i ndërprerjes së jo ligjshmërisë dhe keq menaxhimit të gjatë në këtë kompani, që e sollën atë në një gjendje të rëndë financiare. Në këtë fazë nuk e kemi paraparë që mediat të përfshihen në këtë proces, por ju sigurojmë se jemi të përkushtuar të njoftojmë publikun me kohë dhe saktë për zhvillimet në kompaninë tonë dhe tuajën”, thuhet në përgjigje.

Raporti i Zyrës Kombëtare të Auditorit për vitin 2019 kishte gjetur se në Telekomin e Kosovës kishin ndodh mbi 200 gradime pa i plotësuar kriteret ligjore.

“Kompania, gjatë vitit 2018, kishte bërë 296 lëvizje të stafit në pozita dhe grada. Ne kemi rishikuar listën e lëvizjes së stafit dhe nuk kemi gjetur argumente se cili kriter është përdorur në lëvizjet e stafit p.sh. prej gradës 5 në gradën 14, prej 7 në gradën 15, prej gradës 9 në gradën 12, prej gradës 10 në 14, prej gradës 10 në gradën 15”, thuhej në gjetjet e Auditorit.

“Kjo ka ndodhur si shkak i mungesës së kritereve të qarta dhe të përcaktuara për lëvizjet e stafit në Politiken e seleksionimit dhe rekrutimit”, thuhet në raport.

Ndërsa, njëjtë gradimet kishin vazhduar edhe gjatë vitit 2019.

“Gjatë vitit ishin bërë 323 lëvizje të punonjësve nëpër pozita dhe grada. Mirëpo, për 89 raste nuk kemi gjetur argumente, se cili kriter është përdorur në lëvizjet e stafit prej njërës gradë në gradën tjetër si psh. prej gradës 5 në 15; prej gradës 5 në 14; prej gradës 5 në 13; prej gradës 5 në 12; prej gradës 5 në 11, lëvizje këto të përnjëhershme në grada”, thuhet në raportimin e Auditorit të vitit 2020.