Ura e Ibrit - Foto: KALLXO.com
Zhvillimet rreth Urës së Ibrit, qëndrimet e disa qytetarëve shqiptarë në Mitrovicë
Disa qytetarë në Mitrovicë të Veriut e mirëpresin hapjen e Urës së Ibrit.
Pas zhvillimeve për ngjyrosjen e urës si dhe raportit që pritet të bëhet i ditur nga autoritetet e Kosovës, i cili tregon nëse ura mund të hapet, ata shprehen se kjo gjë do të ndodhë, pra ura e cila e ndan dhe bashkon qytetin e Mitrovicës, sipas këtyre qytetarëve do të hapet.
“Me gëzim, me gëzim (e pres)! Për krejt Kosovën. Për qëta kanë luftu”- ka thënë qytetari Mehmet Cimili.
E me zë të dridhur dhe plot emocione qytetari Agron Hajrizi është i bindur se hapja e Urës do të bëhet.
“Me shumë bindje, po. E sot ku ka dëshirë ma të madhe se me jetu në qytetin tem…”- përfundoi Hajrizi.
Politologu Nexhmedin Spahiu nuk e sheh si “konfikt” mes banorëve shqiptarë e serbë hapjen e Urës së Ibrit.
Kështu ka thënë ai në një intervistë për KALLXO.com sot më 12.08.2024 i cili potencon se është në dobi të të dyja palëve.
“Ata do të binden se ky ka qenë një hap normal, politik, në dobi të qytetarëve. Mbyllja ose hapja e urës është një ndeshje mes dy ideologjive kombëtare. Ideologjisë kombëtare serbe që ka për qëllim ndarjen e Kosovës, izolimin e komunitetit serb i cili ka për qëllimin me tregu se shoqëria kosovare nuk është e aftë për me integru serbë për me tregu se nuk mundet me funksionu Kosova si shtet edhe ideologji kombëtare kosovare d.m.th. që Kosova është në gjendje me organizu shtet, që mundet me kontribu në territorin e vet për me i integru të gjitha komunitetet etnike në shoqëri”- ka thënë Spahiu për KALLXO.com.
Tutje ai tha se hapja e urës duhet të bëhet sa më parë dhe nuk sheh asnjë rrezik sigurie sepse, sipas tij, strukturat e dhunshme paralele janë eliminuar.
“Protesta e cila u organizu para disa ditësh me thirrje edhe vetë të presidentit Vuçiq dhe të gjitha mediave në Serbi, nuk ishin më shumë se 500 veta që tregon se shumica e njerëzve nuk janë kundër hapjes së urës nga komuniteti serb. Prandaj kjo është një gjë që tregon se ura do të hapet pa problem. Të gjithë ata që mendojnë se kërcënojnë me masa Kosovën, do të binden më vonë se kjo ka qenë një lëvzije bukur politike”- tha tutje Spahiu.
Betim Osmani nga “Iniciativa Qytetare” ka thënë se çështja e urës është temë që zgjon interesim te qytetarët, gazetarët e te Qeveria e Kosovës.
“Jam tu pa interesim të madh edhe të qytetarëve, të mediave, të qeverisë qendrore, besa të asaj lokale ma pak. Shpresoj që sa ma shpejt të hapet dhe të funksionojë”- ka thënë Osmani.
Ndryshe, ekipi i KALLXO.com raportoi se automjete të shtuara të karabinierëve italianë, që janë pjesë e KFOR-it, janë parë të hënën më 12.08.2024.
Gjithashtu në këtë pjesë ka filluar ngjyrosja e mureve në pjesën e sipërme të urës.