Sonja Biserko, Analiste nga Serbia

Zhvillimet në veriun e Kosovës në sytë e analistes serbe nga Beogradi, Sonja Biserko - VIDEO

Analistja serbe Sonja Biserko ka vlerësuar se situata në veri të Kosovës është krijuar nga Beogradi për t`i ikur një marrëveshjeje serioze me Kosovën, konkretisht planit franko-gjerman, për të cilin ka thënë se është oferta më e mirë që e ka Serbia momentalisht.

Në intervistën e saj me emisionin #KallxoPernime, Biserko flet për instrumentalizimin e serbëve të Kosovës nga ana e Beogradit, si dhe manipulimin e opinionit publik në Beograd.

Po ashtu ajo ka folur edhe për koordinimin e Serbisë me aleatët e saj kinez dhe rus për situatën e krijuar në veri të Kosovës.

Intervista e plotë për Kallxo Pernime: 

Jeta Xharra: Sonja Biserko, ti je në Beograd, ne këtu në studio e dëgjuam perspektivën e Prishtinës dhe prej Mitrovicës veriore e tash dëshirojmë ta dëgjojmë perspektivën e Beogradit, si janë parë në Beograd gjithë zhvillimet e 2-3 ditëve të fundit. A janë parë si ‘dhunë’ e Prishtinës apo diçka tjetër?

Sonja Biserko: Është shumë e popullarizuar këtu të thuhet që Kurti është përgjegjës për të gjitha. Por, shumë njerëz e kuptojnë që ky është manipulim sepse ju e dini që kjo marrëveshje e Berlinit dhe Parisit nuk është pranuar nga Beogradi, ashtu siç tha (Ivica) Daçiq dje. Kështu që kjo situatë ka qenë një lloj ikje apo mohim për të bërë ndonjë marrëveshje serioze me Kosovën. Gjithashtu mendoj që ky manipulim i serbëve të Kosovës është problem i yni i moçëm sepse ata sillen saktë si do Beogradi, janë të instrumentalizuar sidomos prej që është instaluar Lista Serbe.

Jeta Xharra: A mund të ndalemi këtu? A e shihni këtë braktisje që serbët (e Kosovës) u bën institucioneve të Kosovës, zhveshjen simbolike të uniformës, a është ky reagim i popullatës dhe reagim që vjen si presion nga qytetarët që jetojnë në veri të Kosovës apo vetëm si një vendim i imponuar i Beogradit nga maja. A është njëra apo tjetra?

Sonja Biserko: Është imponim nga Beogradi. Gjithmonë ka qenë politikë e Beogradit t’i instrumentalizojë serbët e Kosovës. Ne kemi bërë shumë anketa e hulumtime me serbët e Kosovës dhe ne e dimë se çka mendojnë ata për Beogradin. Kanë shumë probleme me Beogradin por edhe varen prej tij, kështu që janë njëfarë pengu i Beogradit dhe krejtësisht impotentë për të bërë diçka vetë e edhe nëse bëjnë diçka vetë do të kërcënohen nga Beogradi.

Jeta Xharra: A është e qartë në Beograd, a e kanë të qartë njerëzit atje, që serbët që jetojnë në Graçanicë e në Shtërpcë për shembull (të cilët nuk janë serbë më të ‘këqij’ apo më pak serbë se ata që jetojnë në veri) nuk kanë kurrfarë problemi për t’i përdorur tabelat e regjistrimit të shtetit të Kosovës, do të thotë i përdorin tash sa vite e ata të veriut jo. A e kanë të qartë publiku i Serbisë këtë aspekt të përdorimit të tabelave RKS apo jo?

Sonja Biserko: Mendoj që shumica e njerëzve nuk dëshirojnë të reflektojnë lidhur me këtë, nuk mendojnë thellë për këtë, por ata që e përcjellin situatën mes Kosovës e Serbisë janë krejtësisht të vetëdijshëm që shumica e serbëve përdorin tabela të Kosovës, madje edhe shumë prej këtyre (serbëve) që kanë ardhur në konsultime me (Aleksandar) Vuçiqin kanë udhëtuar me tabela të Kosovës këtu në Beograd për këto konsultime, andaj është manipulim krejt kjo punë e tabelave sepse kjo është krejt çështje minore, nuk është problem i vërtetë pse serbët po tërhiqen prej institucioneve. Ky është një veprim në drejtim të asaj që unë do thosha është veprim në drejtim të NDARJES së Kosovës, sepse kjo ishte e vetmja zgjidhje e cila përkrahet nga Beogradi (për ta zgjidhur çështjen e Kosovës), zgjidhje të cilën ishin goxha gati për ta arritur me (Hashim) Thaçin dhe (Edi) Ramën, por Angela Merkel e ka ndalur e tash nuk dinë si ta shpikin/krijojnë një njeri në Kosovë i/e cili/cila do ta vazhdonte këtë marrëveshje për ndarje dhe për këtë Kurti ka qenë target i tabloideve në Serbi edhe të gjithë atyre që janë në pushtet, duke e quajtur atë terrorist edhe si njeri që do të organizojë pogromin e serbëve të Kosovës, etj.

Jeta Xharra: Përveç që kjo është e diktuar nga Beogradi, ne në Kosovë jemi duke e dëgjuar edhe një narrativë tjetër nga Albin Kurti në krye të Qeverisë. Kryeministri i Kosovës ka thënë që, jo vetëm që ky vendim për të braktisur institucionet e Kosovës është i diktuar nga Vuçiqi por që Vuçiqi është duke e bërë këtë në koordinim të ambasadorit rus në Beograd me të cilin ai konsultohet rregullisht lidhur me Kosovën. A beson që kjo është shpikje, konspiracion apo është e vërtetë?

Sonja Biserko: Unë pajtohem me këtë deklaratë. Bile desha unë ta përmend sepse nuk është vetëm dëshirë e Beogradit por kjo është dëshirë e Rusisë sepse ata dëshirojnë të ekzistojë një konflikt i ngrirë në Kosovë, por edhe në Bosnjë dhe krijojnë telashe/ferr kudo që munden dhe kudo që shkelin në planet. E është shumë lehtë të (krijojnë konflikt) këtu sepse Beogradi është aq i infiltruar nga Rusia që nga aparati i sigurisë, kisha, akademia dhe kultura, etj., kështu që nuk është aspak vështirë për ta t`a përcjellin këtë vijë. E në anën tjetër, Vuçiqi gjithmonë ka dashur ndarjen e Kosovës, jo vetëm ai, është pozicion shtetëror i Serbisë. Kuptohet varet se kush është në pushtet këtu se si do t`a implementonte. Por, në këtë rast, Rusia është e rëndësishme dhe përkrahëse e madhe (e kësaj ideje) dhe lidhur me këtë pikë e kemi konfrontimin e Rusisë me Perëndimin, me komunitetin e Perëndimit, i cili po mundohet t`a finalizojë çështjen e Kosovës, t’ia vë pikën çështjes së Kosovës dhe t`a ndalojë ndikimin e dëmshëm të Rusisë në gjithë rajonin.

Jeta Xharra: Sonja, pasi ne nga këtu nuk e përcjellim në baza ditore çka bën Vuçiqi, po na intereson a ka ndonjë fakt që Vuçiqi takohet në baza të rregullta me ambasadorin rus për të diskutuar (për Kosovën)? A ka fakte lidhur me këto takime të kenë ndodhur në baza të rregullta në javën e fundit?

Sonja Biserko:  Po, ai takohet rregullisht me ambasadorin rus dhe atë kinez, por gjithashtu është në komunikim ditor me ambasadorin amerikan këtu, me telefon, dhe po ashtu takohen shumë shpesh, dhe kjo është ajo loja e forcave të mëdha që ndodh në prapaskenë dhe fatkeqësisht Serbia e ka pranuar të luajë këtë rol që është në përgjithësi kundër interesit të vet, nuk është kundër interesit të saj sa i përket Kosovës por në përgjithësi kundër interesit të Serbisë se ku duhet të jetë Serbia në të ardhmen.

Jeta Xharra: Duke marrë parasysh që tani në tavolinë është oferta e famshme franko-gjermane, megjithëse nuk i kemi të qarta ende detajet e kësaj oferte, a ka pasur ndonjë artikulim të qartë nga ana e Qeverisë së Serbisë që ata nuk e pranojnë këtë ofertë?

Sonja Biserko: Ministri ynë i Punëve të Jashtme, Ivica Daçiq, ka thënë që Serbia nuk mund t`a pranojë dhe nuk do t`a pranojë këtë ofertë, pra, ky refuzim ka ardhur nga ministri Daçiq e jo nga vetë Vuçiqi. Por kjo vlen sepse ata gjithmonë i kanë pasur rolet e ndara, prandaj edhe ky refuzim duhet të merret seriozisht.

Jeta Xharra: A po ekziston ndoshta ndonjë lojë e tipit të “policit të mirë” e të “policit të keq”, pra një lloj strategjie ku Daçiqi thotë që oferta është e papranueshme e në anën tjetër Vuçiqi e merr në konsideratë ofertën, apo kjo është çka po dëshiron edhe vetë Vuçiqi?

Sonja Biserko: Është e vështirë që të kemi një gjykim të qartë të kësaj sepse deri më tani Vuçiqi ka qenë shumë i aftë në manipulimin e atyre përreth tij, pra të gjithë kanë pasur rolet e veta për të luajtur, për shembull Aleksandar Vulini një herë e tani edhe Ivica Daçiqi, e që mund të konsiderohet si një person me orientime pro-ruse, prandaj, do të thosha që ka një marrëveshje mes tyre, sepse vetë kjo qeveri konsiderohet të jetë pro-ruse, sepse u janë dashur shtatë muaj për të themeluar Qeverinë, dhe një nga pikat e arsyes së kësaj vonese ka qenë edhe qëndrimi për vendosjen apo jo të sanksioneve kundër Rusisë. Prandaj nuk e di nëse Vuçiqi do ta bëjë këtë apo jo, por së fundmi, ai e dha një intervistë për gazetën “Financial Times”, ku tha që Serbia do të diversifikojë burimet e energjisë por edhe që Rusia mund ta marrë shumicën, mirëpo nuk jam e sigurt se çfarë është duke menduar ai në këtë moment. Por është e qartë që ai është nën presion nga të dy palët, mirëpo ai po mundohet të luajë në mes të dy palëve, por hapësira e tij për të manovruar po zvogëlohet çdo ditë e më shumë, sepse atij do t’i duhet të vendosë se çfarë po dëshiron me të vërtetë, sepse dihet që Serbia është më shumë e lidhur me Perëndimin kur vjen fjala te marrëdhëniet tregtare, shëndetësia, investimet, për faktin që edhe vetë njerëzit shkojnë më shumë në Perëndim se sa në Lindje, prandaj interesi i vërtetë i Serbisë është me Ballkanin Perëndimor dhe me Bashkimin Evropian.

Jeta Xharra: Sonja, a mund të komentosh edhe faktin që megjithëse Qeveria e Kosovës nuk e ka refuzuar këtë ofertën franko-gjermane, siç ka bërë Daçiqi, megjithatë as Kurti nuk e ka pranuar këtë ofertë plotësisht, por ai ka thënë që unë i kam dhënë vërejtjet e mia, pra nuk është që Qeveria e Kosovës e ka pranuar këtë ofertë me duar të hapura gjithashtu…

Sonja Biserko: Mendoj që Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës tani do të vazhdojnë diplomacinë prapa kuintave dhe diçka do të dalë nga këto përpjekje diplomatike, pra ato nuk do të lejojnë të shkoj huq, sepse SHBA e ka dërguar ambasadorin Hill për të përmbyllur çështjen e Kosovës, prandaj nuk mendoj që ai do të pësojë disfatë nga Kurti, nga Vuçiqi apo nga kushdo tjetër në regjionin tonë. Prandaj, mendoj që kjo duhet të pritet gjatë kohës që ai do të jetë këtu, prandaj unë kam shumë besim që diçka pozitive do të dalë nga kjo.

Jeta Xharra: Sonja, çfarë mendoni ju personalisht për këtë marrëveshjen franko-gjermane? Cili është mendimi yt rreth saj?

Sonja Biserko: Unë nuk e kam parë këtë marrëveshje, sikur që nuk e kanë parë shumica e njerëzve. Mirëpo, shumica e njerëzve po thonë që ajo ofron më të shumtën që mund të marrë Serbia në këtë moment, dhe që nuk do të ishte veprim i mençur që Serbia ta refuzojë këtë plan, por është e qartë që nuk ka shumë gjëra që duhen debatuar rreth çështjes së Kosovës dhe dialogut, sepse gjithçka që ka mundur të bëhet, është bërë gjatë këtyre dhjetë viteve të kaluara, por tani është më shumë çështje e zbatimit të dy marrëveshjeve që janë nënshkruar në vitin 2012 por edhe gjatë viteve të tjera. Prandaj, më shumë ka të bëjë me pranimin e gjërave që tashmë janë nënshkruar.

Ka edhe shumë gjëra të tjera praktike rreth të cilave duhet të pajtohen të dy palët, sepse ato kanë të bëjnë me jetën e përditshme të dy popujve, pra edhe të serbëve edhe të shqiptarëve. Këtu problemi kryesor është fakti që Serbia duhet ta pranojë realitetin e ri në regjion, mirëpo Serbia po sillet apo po mundohet që ta ndajë përgjegjësinë e vetë me Kosovën dhe më konkretisht me Kurtin në këtë rast, sepse Serbia nuk dëshiron të dalë nga kjo punë si palë që ka humbur, sepse e kaluara tashmë dihet, shumë njerëz e dinë…

Jeta Xharra: Fitorja dhe disfata apo humbja, dhe kjo ka të bëjë me pyetjen time të fundit. Për momentin ka presion shumë të madh në Qeverinë e Kosovës që ta pranojë dhe ta zbatojë marrëveshjen për Asociacionin e komunave me shumicë serbe që ishte nënshkruar nga qeveritë e kaluara. Nga vendi ku jeni tani, pra në Beograd, dhe duke e njohur Qeverinë e Serbisë, a mendoni që nëse Kosova do të pranonte zbatimin e kësaj marrëveshjeje, atëherë a do të pranonte Serbia që të bëjë normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën? A do të pranojë Serbia që ta njohë pavarësinë e Kosovës? A mendoni që zbatimi i Marrëveshjes për Asociacionin e komunave me shumicë serbe do të hapte një kapitull të ri për Serbinë apo Serbia do të gjente arsyetime të reja pastaj që mos ta njohë Kosovën?

Sonja Biserko: Kjo do të thotë të flasim për hapat pra cili hap duhet të hidhet së pari, a duhet të bëhet së pari njohja e pastaj Asociacioni apo anasjelltas. Unë mendoj që natyrshëm normalizimi i marrëdhënieve do të ishte hapi i parë e pastaj do të vinte Asociacioni, por kjo varet edhe nga Bashkimi Evropian dhe SHBA dhe si do ta trajtonin ata këtë çështje prapa kuintave apo gjatë periudhës së ardhshme që na pret sepse problemi është që të dy palët e shohin Asociacionin e komunave si diçka tjetër, sepse Beogradi e ka parë gjithmonë si një lloj statusi i Republikës, përderisa pala e Kosovës ka frikën e kuptueshme që kjo mund të shkaktojnë keqfunksionimin e shtetit të Kosovës, dhe kjo është diçka që ka qenë në tavolinën e diskutimit që nga fillimi, prandaj në një pikë në vitin 2019, 2016, ata filluan të ankohen sepse Beogradi e kishte vendosur këtë pikë në tavolinë që nga fillimi.

Jeta Xharra: Ajo që Perëndimi po i kërkon Kosovës është që ta themelojë Asociacionin sipas legjislacionit të Kosovës por bëni një lloj Asociacioni në kuadër të legjislacionit të Kosovës, por një formë të Asociacionit të komunave me shumicë serbe që disi të qetësohet Serbia, por siç duket ajo nuk do të jetë e kënaqur me këtë.

Sonja Biserko: Nuk mendoj që Serbia do të jetë e kënaqur ndonjëherë por mendoj që do të ishte e mençur që të pranohet ky propozim i Perëndimit, të krijohet diçka në kuadër të legjislacionit të Kosovës dhe pastaj ligji për decentralizim të përgjegjësive në Kosovë përmban provizione ligjore që janë në përputhje me Planin e Ahtisaarit. Prandaj, mendoj që duhet të ndahen këto, por para kësaj mendoj që duhet të ketë një marrëveshje për normalizim.

Jeta Xharra: Sonja Biserko faleminderit që ende po angazhoheni me çështjen e Kosovës dhe Serbisë, që po e vizitoni Kosovën kaq shpesh dhe po ktheheni në Beograd pastaj e po na ofroni perspektivën nga të dyja palët!