Zhvillimet në veri të Kosovës, presidenti Begaj bisedon me presidenten Osmani

Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj ka folur rreth zhvillimeve që po ndodhin në veri të Kosovës.

Ai ka njoftuar se lidhje me këtë çështje ai ka zhvilluar në bisedë telefonike me Presidenten e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani dhe ka theksuar se ka inkurajuar vazhdimin e dialogut mes palëve.

Sipas Begajt, mbetet madhor interesi i integrimit euro-atlantik të Kosovës dhe i gjithë rajonit të Ballkanit Perëndimor.

“Gjatë bisedës u informova mbi situatën e tensionuar në Veri të Kosovës dhe kryesisht u ndalëm në dorëheqjen e përfaqësuesve të Listës Serbe në Kosovë nga institucionet shtetërore dhe bllokimin e funksionimit të tyre. I shpreha shqetësimin Presidentes Osmani dhe njëkohësisht inkurajova vazhdimin e dialogut mes palëve, duke patur në vëmendje ruajtjen e paqes dhe stabilitetit si dhe të integritetit territorial të Kosovës të garantuara nga NATO”- ka shkruar Begaj në Facebook teksa tutje në postimin e tij ka thënë se mbetet madhor interesi i integrimit euro-atlantik të Kosovës dhe i gjithë rajonit të Ballkanit Perëndimor.

Ndërkaq, në një mbledhje në Mitrovicë të Veriut, më 5 nëntor 2022, të ftuar nga Lista Serbe, në cilën morën pjesë zyrtarë të lartë shtetëror nga komuniteti serb, u njoftua largimi i tyre nga institucionet, përfshirë nivelin qendror ekzekutiv, lokal e nga gjyqësori.

Ndërkaq, Kryetari i Listës Serbe, Goran Rakiq në një takim të përfaqësuesve politikë dhe institucional të serbëve të mbajtur sot në Zveçan, njoftoi për bojkotimin e institucioneve të Kosovës duke treguar edhe vendimet që ishin marrë në këtë mbledhje.

Rakiq ka thënë se këto vendime do të jenë në fuqi derisa Prishtina të fillojë të respektojë marrëveshjet dhe ligjin, derisa të tërheqë vendimin për targat dhe të formojë Asociacionin në përputhje me Marrëveshjen e Parë dhe të gjitha marrëveshjet e tjera të lidhura për këtë çështje në kuadër të Dialogut dhe në bazë të punës së Ekipit Menaxhues për hartimin e Statutit të Bashkësisë së Komunave Serbe.

Sipas tij, Prishtina në mënyrë konstante shkel të drejtën ndërkombëtare dhe marrëveshjet e Brukselit.

Ai ka thënë se populli serb në Kosovë është sistematikisht duke vuajtur terror të pandalshëm dhe dhunues nga institucionet e Prishtinës dhe në mënyrë të paligjshme dhe të njëanshme.

“Të kuptohemi, se ne serbët e Kosovës dhe Metohisë nuk i kërcënohemi askujt, por mundohemi që ta ruajmë paqen stabilitetin dhe të drejtën”-ka thënë ai.

Pas një fjalimi të gjatë, Rakiq njoftoi se ka dhënë dorëheqje nga pozita e tij e ministrit në qeverinë Kurti.

Pas tij, fjalën e ka marrë përfaqësuesi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës Nikolla Kabashiq.

“Në emër të gjyqtarëve të Gjykatës Themelore në Mitrovicë dhe degës së Gjykatës së Apelit në Mitrovicë dhe në emër të punëtorëve administrativë të gjykatës, ne sot japim dorëheqje si gjyqtarë, prokurorë dhe punëtorë administrativë”-ka thënë Kabashiq.

Të pranishmëve u është drejtuar edhe kryetari i Komunës së Zveçanit, Dragisha Miloviq.

Ai ka njoftuar se  kryetarët e katër komunave të veriut, të Mitrovicës, Zveçanit, Zubin Potokut dhe Leposaviqit japin dorëheqje nga mandati i kryetarit, kryetarëve të asambleve komunale dhe asamblistëve.

Zyrtarë të Policisë së Republikës së Kosovës nga komuniteti serb i kanë zhveshur uniformat.

Kryetarët e katër komunave me shumicë serbe në veri të Kosovës kanë dhënë dorëheqje nga postet e tyre.

Dorëheqja e tyre është bërë gjate ditës së sotme pak orë para se të nis tubimi i paralajmëruar i Listës Serbe me qytetarët në veri të vendit.

Dorëheqja e kryetarëve të komunave është hapi i radhës qe ndërmorën zyrtarët serb të cilët kishin poste në institucionet e Kosovës.

E gjitha kjo pasi Inspektorati Policor i Kosovës ka rekomanduar para tri ditëve suspendimin nga puna të drejtorit të Policisë së Kosovës për rajonin e veriut, Nenad Gjuriq.