Zhvillimet në veri, Presidenti i Shqipërisë mbështet institucionet e Kosovës

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka pranuar sot një telefonatë nga homologu i saj nga Shqipëria, Bajram Begaj pas zhvillimeve të fundit në veri të Kosovës.

Sipas njoftimit të Presidencës, presidenti Begaj mbështeti vendimet e institucioneve të Kosovës lidhur me reciprocitetin dhe “maturinë e treguar”.

Me këtë rast, bëhet e ditur se Osmani ka falënderuar homologun Begaj për mbështetjen dhe ka shprehur mirënjohjen e thellë nga ana e qytetarëve dhe institucioneve të Kosovës.

Në njoftim thuhet se të dy presidentët janë dakorduar për komunikim të rregullt dhe vijim të bashkëpunimit me qëllim të ruajtjes së paqes dhe stabilitetit në rajon.

Kryeministri shqiptar, Edi Rama ka thënë se mbështet 100% Qeverinë dhe autoritetet e Kosovës, për zbatimin e vendimit për reciprocitetin me dokumente me Serbinë.

Në një konferencë për media bashkë me kryeministrin e Spanjës, kryeministri Rama përgëzoi kryeministrin Albin Kurti dhe autoritetet e Kosovës për vetëpërmbajtjen dhe dëgjimin e aleatëve, për shtyrjen e zbatimit të vendimit.

Gjatë ditës së djeshme, një ditë para se të hynte në fuqi vendimi për për pajisje me dokumentin për hyrje-dalje të qytetarëve serbë për në Kosovë, grupe të organizuara bllokuan rrugën në pjesën veriore të Kosovës, në Jarinjë dhe Bërnjak.

Ndërsa Qeveria e Kosovës pas takimit me ambasadorin amerikan ka deklaruar se jep zotimin që të shtyhet zbatimi i dy vendimeve të reciprocitetit deri me datën 1 shtator 2022, nga momenti në ditën e hënë, 1 gusht 2022, kur do të hiqen të gjitha barrikadat dhe të vendoset liria e plotë e lëvizjes në të gjitha rrugët në veri të Kosovës.